Gati të plasë keq te Portugalia

Futboll

Gati të plasë keq te Portugalia

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 16:23
Santos

Fernando Santos, trajneri i kombëtares së Portugalisë, iu referua për herë të parë këtë të hënë qëndrimit sfidues që tregoi Cristiano Ronaldo ndaj tij, kur u zëvendësua të premten e kaluar, në ndeshjen Portugali-Kore e Jugut, që mbylli fazën e grupeve të Kupës së Botës.

Në konferencën për shtyp para përballjes që kombëtarja luzitane do të ketë nesër me Zvicrën në 1/8 finale, trajneri ka shfaqur shqetësimin e tij të thellë për qëndrimin e kapitenit të Portugalisë.

“E vërteta është se në fushë nuk pata mundësinë të dëgjoja asgjë nga ajo që thoshte, – shpjegoi Santos. – Më pas i pashë imazhet në televizion dhe nuk më pëlqyen fare”.

Për mënyrën sesi do ta zgjidhë situatën, trajneri ka zgjedhur maturinë, duke u strehuar te kodet e futbollit: “Do ta zgjidhim në dhomën e zhveshjes. Dhe pikë”.

Çfarë ndodhi – Portugalia humbi ndeshjen e fundit të grupit në “Katar 2022”, e mundur 2-1 nga Koreja e Jugut. Kësisoji, kombëtarja e drejtuar nga trajneri luzitan Paulo Bento u kualifikua për në 16-she. Në letër ishte një disfatë pa dhimbje për skuadrën e Fernando Santos, madje pa kompromentuar vendin e parë në grup, por ka nga ata brenda grupit që nuk e morën mirë “kthesën e papritur” që mori pasditja e djeshme në Katar.

Është sigurisht Cristiano Ronaldo, i cili siç e dimë nuk i pëlqen të humbasë kurrë, pavarësisht nga rëndësia e ndeshjes. Numri 7, i aktivizuar si titullar, pavarësisht kualifikimit tashmë në xhep, nuk mundi ta gjente rrugën e golit dhe për këtë arsye u duk veçanërisht nervoz gjatë ndeshjes, por mbi të gjitha pasi u zëvendësua.

Kështu, pas mosmarrëveshjes me një kundërshtar të Koresë së Jugut, i cili me rezultatin ende 1-1 e kishte ftuar të përshpejtonte largimin nga fusha gjatë zëvendësimit, zemërimi i vërtetë i CR7 shpërtheu pak sekonda më vonë dhe kishte si target Fernando Santos.

Në fakt, kamerat kapën një shprehje mjaft të zjarrtë të Ronaldos, drejtuar trajnerit të tij. “Ti e ke gjithmonë me nxitim për të më zëvendësuar, por duhet të jesh i kujdesshëm me mua”, – u shpreh Cristiano para se të ulej në stol.

Santos vetë, pas ndeshjes u përpoq ta ulte tensionin, duke pohuar se zemërimi i Ronaldos ishte i lidhur pikërisht me mosmarrëveshjen që kishte me lojtarin e Koresë së Jugut: “Pepe duhej të ndërhynte për të rivendosur qetësinë dhe Cristiano ishte i tensionuar”. Sulmuesi shfaqi zhgënjimin e tij, ngaqë është zëvendësuar për herë të tretë nga tri ndeshjet e luajtura në Kupën e Botës.

Ronaldo nuk e kishte fshehur acarimin e tij tashmë pasi iu desh të largohej nga fusha në fund të ndeshjes kundër Ganës, në minutën e 88-të me rezultatin 3-1, pak sekonda para golit të afrikanëve që rihapi ndeshjen, dhe më pas kundër Uruguajit nëntë minuta nga fundi, ndeshje e shënjuar nga goli i “kontestuar” i Bruno Fernandes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat