Tjetër seleksionim i Përfaqësueseve

Futboll

Tjetër seleksionim i Përfaqësueseve

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 11:57
Tjetër seleksionim i Përfaqësueseve

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një tjetër seleksionim në Gjirokastër me lojtarët e vitlindjes 2009, 2010 dhe 2011 në kuadër të përgatitjeve për Përfaqësueset Rajonale, që do të marrin pjesë në turneun e radhës që mbahet në janar.

Stafi i FSHF-së i përbërë nga Sulejman Mema, Dritan Babamusta, Andi Zëre dhe David Gruda në bashkëpunim edhe trajnerët e përfaqësueseve rajonale dhe zyrtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër kanë testuar përmes disa ndeshjeve kontrolli rreth 120 futbollistë të rinj për disa orë për të përzgjedhur elementët më të mirë dhe për të monitoruar zhvillimin e tyre. Specialistët e FSHF-së janë shprehur të kënaqur për angazhimin e lojtarëve gjatë testimeve dhe kanë vlerësuar edhe aspektin cilësor të kësaj grup-moshe.

Procesi i seleksionimit, që udhëhiqet nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare, është shumë i rëndësishëm në evidentimin dhe përzgjedhjen e elementëve të spikatur, edhe në kuadër të përgatitjeve për turneun e ardhshëm të ekipeve përfaqësuese rajonale.

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur që prej muajit nëntor seleksionimet e futbollistëve të rinj të grup-moshave U-11, U-12 dhe U-13 që do të jenë pjesë e Përfaqësueseve Rajonale. Fillimisht seleksionimet janë zhvilluar dhe përmbyllur në Tiranë e në Durrës për të vazhduar më pas edhe me Fierin, Elbasanin, Korçën, Lezhën e Shkodrën.

Këto seleksionime janë ndjekur në të gjitha zonat nga afër edhe nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, të cilët përveçse kanë monitoruar lojtarët e talentuar, kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime me trajnerët e akademive dhe përfaqësueseve rajonale për programin stërvitor, metodat që përdoren aktualisht dhe gjërat që duhen përmirësua në punën e përditshme me futbollistët e vegjël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat