Dervishi reagon për ndarjen nga jeta të Pelesë

Futboll

Dervishi reagon për ndarjen nga jeta të Pelesë

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 15:26
Dervishi reagon për ndarjen nga jeta të Pelesë

Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Dervishi, ka zgjedhur që të reagojë për Pelenë, duke dhënë një mesazh të gjatë, ku përfshihet historia e legjendës brazilianet dhe fjalët e thëna për të.

Prej vitesh pjesë e Federatës Spanjolle të Futbollit, Dervishi tregon se Pele ishte idhulli i tij sportiv dhe se Brazili skuadra e tij e zemrës.

POSTIMI I PLOTË:

Futbolli në zi: U shua ‘O Rei’ PELÉ
1940 – 2022
Une isha fëmije në kohën kur ai ushtronte artin e tij, madje në botërorin e parë që ai fitoi as nuk kisha lindur. Por emri i tij kishte mbërritur edhe te mua…ashtu si përcillen legjendat.

Pak muaj mbas mbarimit te Kampionatit Botëror 1970, fale filmit “Bota nën këmbët e tyre” (The World at Their Feet-1970), më në fund mu dha mundësia të shikoja mitin, që sapo e kishin kurorëzuar ‘Mbret i futbollit’; PELÉ! Nuk e kujtoj sa here e pashe atë film…por mund tju siguroj se ishin shume! Në atë film pashe disa nga momentet më të mrekullueshme të futbollit (për here të parë dhe me ngjyra) që u fiksuan përgjithmonë në kujtesën time.

Që nga ajo ditë Brazili u bë ekipi im i zemrës dhe Pelé idhulli im sportiv. Dhe ëndërroja ta kisha patur dhe unë atë fat, të kisha qene dhe unë atje, në “Azteka Stadium”, ashtu si ai djali i vogël i filmit! Në shkollë me shokët e klasës, me nje top dyzetepesç (e quanim kështu se kushtonte 45 lekë) mundoheshim të luanim dhe të imitonim djemte e veshur me fanellat e verdha: Carlos Alberto, Gerson, Tostao, Rivelino, Jairzinho,…PELÉ!
Historia do të fillonte, në 23 Tetor 1940, në qytezën Tres Coraçoes (Brazil), aty do të vinte në jetë Pelé.

Pak para se të lindte, në qyteze ndodhi një ngjarje e rëndësishme: mbërriti drita elektrike. “Për të përkujtuar këtë përparim të madh në jetën e përditshme të njerezve -tregon Pelé -babai më quajti Edson, sipas Thomas Edison, shpikësit të llambës elektrike. Në fakt, në certifikatën time të lindjes jam shënuar si Edison, por mbeti: Edson Arantes do Nascimento.”

Në fëmijëri provoi urinë dhe në moshën 7 vjeçare filloi të bojatiste këpucë dhe të shiste kikirikë në rrugë për të ndihmuar edhe ai ekonominë e familjes. Kështu do të fillonte jetën ylli i ardhshëm i futbollit, me vështirësi, shumë punë dhe përpjekje për të ndryshuar historinë e tij dhe atë të futbollit.
Megjithëse mamaja nuk donte që ai të luante futboll, mbështetja e babait dhe trainerit që “zbuloi” talentin, bënë të mundur debutimin e tij ne futbollin profesional me Klubin e Futbollit Santos, në 7 shtator 1956, pak përpara se të mbushte 16 vjeç. Në karrierën e tij të gjate, 19 vjeçare në Santos, Pelé fitoi 12 Kampionate Kombëtar si dhe 2 Kupa Libertadores.

Aktivizimi me ekipin kombëtar do ta fillonte kur ishte vetëm 16 vjeç në ndeshjen kundër Argjentinës, në Stadiumin Maracaná, në 7 Korrik 1957. Në këtë ndeshje shënoi dhe golin e tij të parë për Brazilin. Në prag të Kampionatit Botëror Suedi 1958, Pelé u dëmtua dhe nuk ishte parashikuar për të udhëtuar me ekipin. Por traineri i shquar Vicente Feola, kundër gjithe parashikimeve, vendosi ta përfshinte ne ekip edhe pse ishte i dëmtuar. Me kujdesin e mjekëve Pelé u rikuperua dhe u aktivizua, ne ndeshjen e tretë të grupit, kundër BRSS. Gjithçka mbas kësaj ndeshje është pjesë e historisë së ndritur. Shënoi golin e vetëm në çerekfinale kundër Uellsit, shënoi tre gola në gjysmëfinale kundër Francës, dy gola në finale kundër Suedise dhe u shpall Kampion Bote me Brazilin ne moshën 17 vjeçare!
Pelé mori pjese dhe në tre Kampionatet Botërore pasuese: Kili 1962 (Kampion Bote), Angli 1966 dhe Meksike 1970, ku Brazili fitoi për të tretën herë Kupën e Botës, Pelé shënoi në ndeshjen finale kundër Italisë dhe u kurorëzua “Mbret i Futbollit” (‘O Rei’).
Në vitin 1975, mbas gati 19 vitesh, Pelé largohet nga Santos F.C. dhe fillon të luaje për “New York Cosmos” ku fitoi dhe nje kampionat. Në 1 Tetor 1977 përpara 75.646 tifozëve të pranishëm në “Giants Stadium”, Pelé luajti ndeshjen e lamtumirës dhe kundërshtar ishte klubi i tij i zemrës, Santos.
‘O Rei’ Pelé shkaktoi një revolucion në futbollin amerikan (SHBA). Në periudhën që luajti atje, Cosmosi trefishoi numrin e tifozëve në stadium, theu rekordet e audiencës televizive dhe ndikoi që idhuj të tjerë si Cruyff, Beckenbauer, George Best, Carlos Alberto apo Chinaglia të vinin për të luajtur në SHBA.
Në karrierën e tij të ndritur, luajti 1367 ndeshje dhe shënoi 1283 gola (nga të cilat 92 ndeshje me Brazilin dhe 95 gola).
Pelé është votuar lojtari më i mirë i shekullit në një votim të bërë nga fituesit e Topit të Artë.
IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit) e shpalli atë lojtarin më të mirë të shekullit XX.
Në vitin 2000 ai u zgjodh si futbollisti më i mirë i shekullit të 20-të nga FIFA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i dha titullin “Sportisti më i mirë i shekullit të 20-të”.
“Të shikoje Pelé duke luajtur -shkruan J. Valdano -ishte si të jetoje në botën e çudirave sepse ai e luante me një shpejtësi që ishte reagim i reagimit, ai shpikte zgjidhje origjinale për situatat më komplekse, dhe të emociononte ashtu siç di ta bëjë vetëm e bukura. Më besoni, ata që kanë qene të aftë për ta ngritur futbollin në kategorinë e artit nuk jane më shume se gishtat e njërës dorë dhe një prej tyre ishte Pelé.

Një trup i skalitur për të luajtur futboll me forcë dhe elegancë, me një shikim që mbulonte të gjithë fushën, një teknikë e saktë dhe harmonike, një mëndje konkurruese që kishte brenda magji, guxim dhe finokërinë e atyre që kane luajtur në rruge. Ishte bukuria e së tërës.

Dukej si perfeksion, sepse ishte e pamundur të imagjinohej dikush që të luante më mirë. Disa veprime ai i nxirrte nga kujtesa, të tjerat kërkonin zgjuarsinë e një magjistari, të tjerat shpikjen e një gjeniu. Çfare kënaqesie që plani televiziv ta kapte, t’i pasonin topin, dhe ta shihnim duke ushtruar mbretërimin e tij”.

“Para ndeshjes i thashë vetes; Ai është prej mishi dhe kockash njësoj si mua. Isha gabuar”. – Tarcisio Burgnich (Itali)

“…Kështu që e ndoqa kudo që shkonte. Natyrisht e godita disa herë. Në ato ditë ndërhyrjet e forta akoma lejoheshin. Sot do të quheshin ndërhyrje të dhunshme. Nuk mund ta bësh sot. Nuk funksionon sot; lojtarët rrëzohen dhe nga era që ju fryn nëse i kaloni prane. Dhe arbitri u jep goditje të lirë. Njerëzit më pyetën si arrite ta markosh dhe unë u thashë: duhet të blesh një armë dhe ta qëllosh dhe kjo ishte mënyra e vetme që mund ta markoje atë sepse ai ishte Lionel Messi i sotëm”. – Alan Mullery (England)

“Kur Zoti krijoi Pelen, ai i dha atij gjithçka: shpejtësi, forcë, vrull, teknikë, gjuajtje, goditje me kokë, driblim, gjithçka”. – Zico (Brazil)
“Është Pelé si njeri dhe pastaj është Pelé si futbollist. Dhe të luash si Pelé është të luash si Zoti”. – Platini
“Ai ishte më tekniku, i pabesueshëm për të shënuar, jo vetëm lojtari më i mirë, por edhe ambasadori më i mirë. Askush nuk ka bërë kaq shumë për futbollin.” – Rummenige

“Nuk kishte asnjë defekt si futbollist: godiste me kokë, gjuante mirë, ishte i fortë, nuk kishte asnjë dobësi. Edhe sot do të ishte yll. Nuk mund ta krahasosh me askënd, madje as me Maradonën. Çdo epokë është e ndryshme, por ai ishte në tjetër nivel”. -Javier Valdivia (Meksikë)
“Kur pashë Pelé duke luajtur, më bëri të ndihesha që duhej të “varja” këpucët”. – Just Fontaine

“Futbollisti më i madh ishte Di Stéfano. Unë refuzoj ta klasifikoj Pelén si futbollist. Ai ishte më shume se kaq”. – Ferenc Puskas
“Cristiano apo Messi. Asnjëri prej tyre. Më i miri ishte Pelé. Aftësia e tij për të shënuar gola ishte e admirueshme”. Di Stéfano

“Pesë lojtarët më të mirë në histori janë Pelé, Maradona, Di Stefano, Messi dhe Cruyff. Nuk më pëlqen t’i vendos sipas rradhës. Por nëse vërtet dëshironi të dini mendimin tim, Pelé ishte më i madh se të gjithë. Çfarë bëri ai si futbollisti ishte jashtë kësaj bote. Ai ishte më i madhi në një epokë futbollistësh spektakolar dhe ishte emri i madh në ekipin e Brazilit 1970, skuadra më e mirë që kam parë ndonjëherë të luajë”. – Cesar L. Menoti (trainer i Argjentines Kampion Bote)

“Nuk dua të jem ‘Mbreti Pelé’. Pelé ishte vetëm një dhe ne të tjerët jemi në rreshtin e dytë”. – Maradona

“Pelé është më i miri i të gjitha kohërave”. – Beckenbauer

“Pelé ishte i vetmi futbollist që i kaloi kufijtë e logjikës”. – Johan Cruyff

“Pelé është një nga njerëzit e paktë që kundërshton teorinë time: në vend që të ketë 15 minuta famë, ai do të ketë pesëmbëdhjetë shekuj”. – Andy Warhol

“Çfarë ka mbetur për të thënë për Pelé, të titulluar me të drejtë ‘Mbreti i futbollit’? Me siguri, nuk mund të ketë asnjë lojtar tjetër të ketë patur aq imagjinatë, të emocionojë apo të shkaktojë një adhurim më të madh në një fushë futbolli, sesa ai. Futbolli është një lojë emocionesh dhe dyshoj nëse dikush ka emocionuar më shumë zemra se Pelé. Ndonjëherë më duket sikur futbolli është shpikur për këtë lojtar magjik”. – Sir Bobby Charlton
“Shumica e tifozëve të futbollit sot nuk e kanë parë kurrë të luajë. Pavarësisht kësaj, ata mendojnë, se në një farë mënyre, ai është pjesë e jetës së tyre”.
– Henry Kissinger.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat