Nga Besart Berisha te Skerdi Bejzade

Futboll

Nga Besart Berisha te Skerdi Bejzade

Më: 7 janar 2023 Në ora: 12:01
Nga Besart Berisha te Skerdi Bejzade

Edicioni i 20-të i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit ‘UEFA A’, që është edhe niveli i dytë për nga rëndësia për një trajner futbolli, nis zyrtarisht të hënën e 9 janarit. Në këtë kurs që do të zgjasë 6 muaj, të gjithë trajnerët pjesëmarrës do të ndjekin kurrikulën e përgatitur nga UEFA në bashkëpunim me Sektorin e Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Kursi do të zhvillohet në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz dhe do të jetë i ndarë në 7 periudha të ndryshme, nga muaji janar dhe do të përfundojë në muajin qershor të këtij viti. Kjo metodë po aplikohet prej dy vitesh tashmë nga Sektori i Edukimit, në mënyrë që trajnerët të kanë mundësi që t’i implementojnë njohuritë e marra në skuadrat e tyre.

Ky është një kurs shumë i rëndësishëm për trajnerët, pasi të gjithë teknikët që pajisen me këtë licencë marrin statusin e ‘trajnerit profesionist’, duke kaluar kështu nga trajnimi në futbollin amator, në atë profesionist. Licenca A duhet të zotërohet nga të gjithë zëvendës-trajnerët e ekipeve në kampionatin ‘Abissnet Superiore’, ndërsa është gjithashtu e detyrueshme edhe për trajnerët e skuadrave të para dhe ekipeve U-21 e U-19, U-17, U-15 në futbollin profesionist.

Në edicionin e 20-të të këtij kursi marrin pjesë emra të njohur të futbollit shqiptar si: ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani, ish-futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Besart Berisha, si edhe ish-futbollistë të njohur shqiptarë si Gentjan Muça, Ndriçim Shtubina, Skerdi Bejzade, por edhe disa trajnere vajza si Suada Jashari, Emirjeta Ndoci, Xhemile Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat