Partizani me ndryshime

Futboll

Partizani me ndryshime

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 13:14
Partizani me ndryshime

Partizani nisi dje menjëherë për gatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Erzenit, e programuar të luhet në orën 19:00.

Trajneri Kolela i nis këto përgatitje me dy mungesa të sigurta, kapitenin Alban Hoxha dhe liderin e mbrojtjes, Eljon Sota.

Të dy lojtarët kanë probleme muskulore dhe është e sigurt se do të mungojnë në këtë ndeshje, por edhe në atë pasardhëse me shumë mundësi.

Prej faktit se Hoxhën e zëvendëson një portier me cilësi si Rexhepi, mungesa e Sotës është më e dhimbshmja.

Në ndeshjen me Bylisin, Kolela luajti me Telushin në qendër të mbrojtjes, krah Menish, teksa edhe ndaj Erzenit pritet të bëjë të njëjtën gjë.

Megjithatë, kemi të bëjmë me një kundërshtar të një tjetër kualiteti dhe shkalla e vështirësisë për Telushin bëhet akoma më e madhe, teksa kjo është hera e parë që mesfushori mbulon këtë pozicion.

Nga ana tjetër, edhe Menish nuk ka treguar nivelin e pritshëm dhe herë pas here humbet duele në zona të rrezikshme. Ndërkohë, ndaj Bylisit, Havales ishte i vetmi qendërmbrojtës në stolin e rezervave.

Në ndeshjen e radhës në këtë repart kthehet Sembene, që ka pasur një gjendje gripale në ditët e fundit, por mbetet për t’u parë nëse Kolela do ta preferojë, diçka që nuk e ka bërë në të shkuarën.

SULMI Partizani aktivizoi ndaj Bylisit një sulm të përbërë nga Da Silva, Mba dhe Cara, por fitoren e solli një përbërje krejtësisht ndryshe lojtarësh.

Selmani, Mensah dhe Hoti i dhanë skuadrës një tjetër ritëm dhe me siguri Kolela është gati të bëjë ndryshime në këtë repart prej përgjigjeve që lojtarët e stolit dhanë në ndeshjen e shkuar.

Hoti shtoi lëvizjet mes reparteve, Selmani goditi shtyllën, ndërsa Mensah shënoi.

Nga ana tjetër, Arinaldo Rrapaj është gati ta nisë ndeshjen nga minuta e parë dhe ky është një plus i madh për ekipin në mesfushë, pasi Sabit Bilali tregoi se i duhet kohë të ambientohet.

E sigurt është se Partizani pritet të pësojë ndryshime në ndeshjen e së shtunës, ku kërkohet me patjetër fitorja e parë në shtëpi e vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat