FFK arrin marrëveshje me kompaninë italiane për fanellat e Kombëtares

Futboll

FFK arrin marrëveshje me kompaninë italiane për fanellat e Kombëtares

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 12:46
Kosova

Federata e Futbollit e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se ka lidhur marrëveshje me kompaninë italiane të veshjeve dhe pajisjeve sportive “Errea”.

“Sikurse edhe për shumë federata tjera të vogla në zhvillim, edhe bashkëpunimin e FFK-së me brendin e njohur ‘Errea’ e ka ndërmjetësuar UEFA, ashtu siç ka bërë edhe me Andorrën, Bjellorusinë, Qipron, Ishujt Faroe, Lihtenshtajnin, Luksemburgun, Maltën, San Marinon e Kazakistanin”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje në njoftim theksohet se partneriteti disavjeçar i UEFA-s me këtë kompani e ka bërë më të lehtë negocimin e Kosovës, për të lidhur këtë marrëveshje, e cila do të jetë me kohëzgjatje deri në vitin 2026.

“Veshjet dhe pajisjet tjera sportive të ‘Errea’-s i plotësojnë standardet më të larta të dizajnit, cilësisë dhe komoditetit , e gjithashtu pasqyrojnë një identitet të fortë kombëtar. Marrëveshja përfshinë furnizimin trevjeçar me të gjitha pajisjet sportive që i nevojiten ekipeve tona kombëtare në futboll”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas FFK-së prezantimi i fanellave të reja të Kosovës do të bëhet së shpejti.

“Fanellat e reja kanë një dizajn modern e tërheqës, derisa janë krijuar me material cilësor, për të siguruar që ato të jenë të rehatshme për lojtarët gjatë ndeshjeve”, theksohet tutje.

FFK shpreson se fanellat e reja do t’i sjellin fat Kombëtares në ciklin e ardhshëm kualifikues për Euro 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat