Fekmi Kongjeli ka disa fjalë për ministrin Çeku dhe kryetarin e FFK-së

Futboll

Fekmi Kongjeli ka disa fjalë për ministrin Çeku dhe kryetarin e FFK-së

Më: 8 mars 2023 Në ora: 16:09
Agim Ademi nga e djathta, Hajrulla Çeku, Daulina Osmani dhe Fekmi Kongjeli

Fekmi Kongjeli, menaxher i licencuar i FIFA-s dhe përfaqësues i FFK-së për Gjermani, përmes një shkrimi ka përshkruar shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Ndonëse kanë kaluar disa javë nga shënimi i 15-vjetorit të pavarësisë, nëpërmjet kësaj kolumne dua të bëj një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuuan në zhvillimin e ndeshjes së veteranëve, Kosovë – Gjermani.

Kisha nderin të jem pjesë e manifestimit të 15-vjetorit të shtetit tim Kosovës së bashku me Legjendat e Gjermanisë nën patronatin e FFK-së dhe MKRS-së. 

Po ashtu isha edhe i privilegjuar sepse nga i gjithë  aktiviteti im 32-vjeçar dhe nga i gjithë ai lobim për vendin tim, pata gjithë mirënjohjen për mikpritjen, kujdesin dhe përshtypjen e jashtëzakonshme nga i gjithë stafi i legjendave të DFB-së.

Si gjithmonë edhe kësaj radhe miqtë tonë u njoftuan për së afërmi për sakrificën e popullit tonë për të ardhur deri te kjo ditë e shenjtë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ishte një mirënjohje e veçantë për presidentin e FFK-së, Agim Ademi, i cili përgjatë gjithë kohës ishte afër stafit të DFB-së dhe i cili në detaje ua shpjegoi historikun e futbollit të Kosovës, e sidomos të arriturat brenda këtyre 7 viteve pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Të gjitha të arritura ishin mbresëlënëse tek Legjendat e futbollit gjerman.

Po ashtu edhe Ambasada Gjermane ishte nonstop afër nesh dhe isha po aq krenar për shtetin tim Kosovën, kur dëgjoja fjalët më të mira për shtetin tim Kosovën që thuheshin nga stafi i ambasadës para stafit të DFB-së, e sidomos respektin që kishin për FFK-në. 

Një falënderim i veçantë për ministrin e Kulturës e Sportit, Hajrulla Çekun, i cili po ashtu ishte shembull për stafin e DFB-së me përfaqësimin që ia bënte shtetit të Kosovës dhe mirënjohjen për të gjitha të mirat që Gjermania ka bërë për Kosovën.

Një falënderim dhe respekt për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili po ashtu la mbresa të jashtëzakonshme tek stafi i DFB-së për kujdesin dhe mirënjohjen që tregoi për kontributin që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën. 

Falënderoj po ashtu ministrin Faton Peci, i cili gjatë tërë kohës ishte me ne, në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e Gjermanisë me Kosovën.

Një respekt i veçantë për organizim stafit të Ligës së Veteranëve të Kosovës, grupit të tifozëve Dardanët, e sidomos stafit të organizimit të FFK-së. Edhe RTK-ja ka një meritë të veçantë për transmetim të drejtpërdrejt të ndeshjes mes veteranëve të Kosovës dhe Gjermanisë, e ku sekuencat e kësaj ndeshje përcillen në Gjermani nga akterët të cilët ishin pjesë e këtij manifestimi e që pjesa dërrmuese e tyre janë ekspert e analistë të televizioneve prestigjioze gjermane, derisa një pjesë tjetër janë zyrtarë të DFB-së por edhe të klubeve dhe shkollave të futbollit në Gjermani.

Dhe kjo është Kosova që ka mirënjohje për miqtë, respekt dhe mikpritje. Kur veprojmë kësisoj me dashamirësi atëherë na vlerësojnë edhe të tjerët dhe kështu duhet vlerësuar të gjithë ata që e duan vendin e tyre me pozitivitet dhe duke shikuar nga e ardhmja.

Por nga gjithë ky vlerësim shumë pozitiv për të gjithë nga miqtë tanë nuk mund ta lë pa e përmend një gjë që edhe e kam hulumtuar.
 

Një pjesë e mediave apo portaleve të cilat nuk kursejnë mund për të proklamuar vetëm të zeza dhe skandale jo ekzistente as që shkruan një rresht për këtë ngjarje! Si nuk e panë të arsyeshme ta japin as si lajm se është duke na nderuar DFB në ditën e shenjtë të pavarësisë me Legjendat e saj, duke i nderuar futbollistët e sakrificës dhe shtetin e Kosovës!

A thua e duan edhe këto media/portale Kosovën!””, ka shkruar Kongjeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat