Aliu: Asnjë fjalë për futbollin! Ju po dini, ju grahni

Futboll

Aliu: Asnjë fjalë për futbollin! Ju po dini, ju grahni

Nga: K. G. Më: 29 mars 2023 Në ora: 19:07
Bekim Aliu

Kosova zhgënjeu mbrëmë me rezultat 1:1 në përballje me Andorrën, në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit I të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2024, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Në adresë të kombëtares së Kosovës një mal kritika madje edhe nga ata që nuk janë kompentent për të komentuar dhe analizuar lojën.

Ish futbollisti llapjan, Bekim Aliu, gazetar i mirënjohur sportiv, ka reaguar ashpër përmes profilit të tij në facebook.    

“Asnjë fjalë për futbollin!

Duke marrë shkas se në Kosovë ka shumë të gjithëdijshëm, kam vendosur që, përkundër karrierës së gjatë si gazetar sportiv (dikur futbollist), të mos e them madje asnjë fjalë për futbollin, si atë vendor ashtu edhe për atë ndërkombëtar.

Arsye për këtë është se gjithkush, madje edhe ata që ndeshjet e futbollit nuk i shikojnë as në televizor, të vishen me 'petkun' e analistit. 

Në një shtet ku analizat e ndeshjeve të futbollit i bëjnë këngëtarët-et, politikanët, modelet etj., neve që jemi rritur, zhvilluar e madje edhe mplakur me futbollin, nuk na mbetet vend e hapësirë për analiza. 

Derisa po zhvillohej Kampionati Botëror i futbollit në Katar, nëpër studiot televizive të televizioneve tona kam parë 'analistë' të llojllojshëm, teksa vetëm pak sish ishin ata që meritonin respekt dhe se analiza e tyre duhej vlerësuar. 

Ndërkohë, ndeshjet e fundit të Përfaqësueses së Kosovës po analizohen edhe më tej nga disa 'ekspertë', të cilët, duke mos e njohur në thelb futbollin, po bëjnë gabime nga më të ndryshmet, duke dalë qesharakë në opinion. 

'Ju po dini, ju grahni'", - ka shkruar Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat