Bournemouth fiton “betejën e mbijetesës”

Futboll

Bournemouth fiton “betejën e mbijetesës”

Më: 8 prill 2023 Në ora: 18:13
Pamje nga ndeshja Leceister - Bournemouth

Kanë përfunduar 3 ndeshje të tjera të vlefsheme për javën e 30’-të të Kampionatit anglez të futbollit, Premier League, me Bournemouth, West Ham e Aston Villa që kanë gjetur fitore minimale ditën e sotme, ndaj kundërshtarëve relativisht të fortë.

Kështu, në “King Power Stadium”, “dhelprat” vendase të Leicester pritën “qershitë” e Bournemouth në një “betejë mbijetese” që u dominua tërësisht nga miqtë, të cilët arritën një fitore minimale, me rezultatin 0 me 1. Golin e vetëm të sfidës e shënoi danez Philip Billing, i cili me një goditje potente brenda zonës në minutën e 40’-të të sfidës mposhti portierin Iversen.

Në krahun tjetë, në “Villa Park”, tekniku spanjoll Unai Emery, duket se ka gjetur “formulën sekrete” me djemtë e Aston Villa që kanë regjistruar një tjetër fitore, kësaj here ndaj Nottingham Forest, me rezultatin e pastër 2 me 0. Për golin e parë përgjegjës ishte anësori afrikan, Bertrand Traore, i cili mposhti portierin Keylor Navas, pas një aksioni të bukur ekipor 3 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, ndërsa për golin e dytë mendoi Ollie Watkins, i cili çoi topin në rrjetën e Nottingham në minutën e 96’-të të sfidës.

Ndërkaq, në “Craven Cottage” të Londrës, vendasit e Fulham pritën “çekiçët” e West Ham, me këta të fundit që fituan me rezultatin minimal 0 me 1, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit anglez.

Goli i vetëm i “çekiçëve” erdhi si “dhuratë” nga vendasit, ku gjatë një ofensive sulmuese të miqve, mesfushori i Fulham, Harrison Reed “ngatërron” portën duke shënuar një autogol.

Me këto rezultate Aston Villa ngjitet në vendin e 6-të të renditjes me 47 pikë shumë pranë zonës së Evropës. West Ham e Bournemouth ngjiten në kuotën e 30 pikëve dhe pozicionohen respektivisht në vendin e 13-të dhe 15-të të renditjes.

Ndërkaq, Fulham mbeti në vendin e 10-të me 39 pikë, ndërsa Nottingham e Leicester mbesin në pozicionet 18 dhe 19 të tabelës me nga 27 dhe 25 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat