Kastrioti reagon pas akuzave të arbitrave dhe FSHF për kërcënime

Futboll

Kastrioti reagon pas akuzave të arbitrave dhe FSHF për kërcënime

Më: 9 prill 2023 Në ora: 17:18
Kastrioti

Klubi i Kastriotit ka dalë me një reagim publik në lidhje me situatën e krijuar me krutanët të cilët akuzohen se kanë kërcënuar gjyqtarët për të marrë vendime në favor të tyre.

FSHF anuloi ndeshjen e sotme të tyre ndaj Bylisit teksa priten vendime të komisioneve disiplinore apo edhe organeve të rendit pasi çështja ka shkuar në Policinë e Shtetit.

Edhe krutanët, në reagimin e tyre në rrjetet sociale, kërkojnë që të zbardhet menjëherë kjo ngjarje dhe këto akuza, të cilat sipas tyre po prishin imazhin e këtij klubi.

"Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim.

Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi.

Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit.

Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë.

KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit", reagon KF Kastrioti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat