Ka dalë nga akademia e Parmës dhe sot luan në Superiore

Futboll

Ka dalë nga akademia e Parmës dhe sot luan në Superiore

Më: 23 prill 2023 Në ora: 14:18
Redi Kasa

Silvinjo po vijon punën e tij me evidentimin e talenteve të futbollit shqiptar, që mund të jenë elementë potencialë për Kombëtaren.

Trajneri i kuqezinjve ka ndjekur disa ndeshje të “Abissnet Superiore”-s, ndërsa ditën e djeshme ishte i pranishëm në stadium për të parë nga afër përballjen mes Laçit dhe Egnatias.

Silvinjo gjendej në shoqërinë e Doribës dhe Bulkut.

Andi Lila ka zbuluar edhe emrin që po ndjek me kujdes trajneri brazilian.

“Në dijeninë time, Silvinjo e ka ndjekur me kujdes Redi Kasën”, ka thënë ish-lojtari kavajas.

Silvinjo ka qenë i pranishëm në stadium në dy ndeshjet e fundit të Egnatias, atë kundër Laçit ditën e djeshme dhe në atë përballë Tiranës, në të cilën Kasa shënoi golin e vetëm për rrogozhinasit.

Redi Kasa është një nga emrat që po spikat së tepërmi këtë sezon në “Abissnet Superiore”. 22-vjeçari është një prodhim i akademisë së Parmës, ndërsa më tej ka vijuar karrierën profesioniste në elitën e futbollit bullgar.

Lojtari shqiptar ishte pjesë e Septemvri Sofias deri në muajin dhjetor, ndërsa në merkaton e dimrit u bë pjesë e Egnatias në Shqipëri. Deri më tani Kasa numëron 4 gola të shënuar me ekipin nga Rrogozhina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat