E fundos bashkëpunëtorja e ngushtë, ndaj ish-presidentit të FFF-së akuza të rënda për ngacmim seksual

Futboll

E fundos bashkëpunëtorja e ngushtë, ndaj ish-presidentit të FFF-së akuza të rënda për ngacmim seksual

Më: 27 prill 2023 Në ora: 17:22
Noël Le Graët

Florence Hardouin, ish-drejtoresha e përgjithshme e Federatës Franceze të Futbollit (FFF), ka paraqitur një padi për ngacmim moral dhe seksual kundër mentorit të saj, presidentit të dorëhequr, Noël Le Graët.

Siç zbuloi gazeta “Le Monde” të enjten, Hardouin kërkon dëmshpërblim prej më shumë se 2.5 milionë euro.

Ankesa erdhi pasi ish-numri 2 i FFF-së u mor në pyetje nga hetuesit e policisë që merren me çështjen për abuzime të dyshuara të “Le Graet”.

Marrjet në pyetje do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, ndaj nuk përjashtohen padi të reja.

Hardouin u hoq nga posti i saj më 11 janar, një ditë pasi deklaroi, përpara inspektimit të brendshëm të urdhëruar nga ministrja e Sporteve, Amélie Oudéa-Castéra, se kishte pësuar ngacmime.

Gjatë marrjes në pyetje në atë kohë, ajo akuzoi Le Graët për “fyerje poshtëruese dhe seksiste, sjellje të papërshtatshme dhe frikësuese të lidhura shpesh me alkoolizmin e tepruar”, përveç “ftesave të pavend për darkë dhe pyetjeve të përsëritura për jetën e saj intime dhe private”.

Drejtoresha e përgjithshme siguroi se ajo nuk ishte viktima e vetme e presidentit të FFF-së, i cili gjithmonë i ka mohuar këto akuza.

E punësuar në FFF që nga viti 2008, më 24 shkurt ajo është njoftuar për shkarkimin e saj. Ajo është ankuar në gjykatat e punës, duke pasur parasysh se ka parregullsi të ndryshme.

Për këtë arsye, ajo kërkon 650 mijë euro si dëmshpërblim për shkarkimin e saj, po aq për ngacmim dhe po aq për mosmbrojtjen.

Shumës i shtohen edhe 640 mijë euro të tjera për mosrinovimin e mandatit të saj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe 20 mijë euro të tjera për shpenzimet ligjore, që arrijnë në total mbi 2.5 milionë euro.

Le Graët dha dorëheqjen më 28 shkurt nën presionin e ministrit të Sportit për shkak të akuzave të ndryshme për ngacmime seksuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat