Shqipëria U-15 merr pjesë në turneun ndërkombëtar

Futboll

Shqipëria U-15 merr pjesë në turneun ndërkombëtar

Më: 18 maj 2023 Në ora: 14:16
Shqipëria U-15

Shqipëria U-15 do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Josip Katalinski Skija” që do të zhvillohet në Bosnje – Hercegovinë në datat 23-26 maj 2023.

Ky është një turne tradicional që organizohet çdo vit nga Federata Boshnjake, teksa në këtë edicion do të marrë sërish pjesë edhe ekipi kombëtar U-15 i drejtuar nga trajneri Armand Damo.

Veç Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Malit të Zi dhe Arabisë Saudite si edhe ekipet e Beogradit U-15 dhe Sarajevës U-15.

Skuadrat janë të ndara në dy grupe, me nga tre ekipe, ku secila prej tyre do të zhvillojë nga dy ndeshje. Shqipëria është pjesë e grupit A, së bashku me Bosnje-Hercegovinën dhe Arabinë Saudite, ndërsa në grupin B gjenden tre ekipet e tjera, Mali i Zi, Beogradi dhe Sarajeva.

Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga Armand Dama do të luajnë ndeshjen e parë me Bosnje – Hercegovinën më 24 maj në ora 13:00 në qendrën stërvitore të Kombëtares së Bosnjes, ndërsa më 25 maj, kuqezinjtë do të përballen me Arabinë Saudite në ora 13:00.

Ndërkaq, më 26 maj do të luhen edhe dy ndeshjet e tjera për vendin e tretë dhe vendin e pestë, si edhe finalja e madhe për vendin e parë. Ekipet që dalin në krye të secilit grup do të luajnë për vendin e 1-2, skuadrat e renditura në vendet e dyta në grupet përkatëse do të luajnë për vendet 3-4, ndërsa ekipet që klasifikohen në fund të grupeve do të luajnë për vendet 5-6.

Kombëtarja U-15 do të nisë grumbullimin më 19 maj në Durrës, ndërsa më 21 maj, kombëtarja do të niset drejt Bosnje-Hercegovinës. Trajneri Dama do të bëjë publike listën me lojtarët e grumbulluar mëngjesin e së premtes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat