Lampard: E kam dashur këtu

Futboll

Lampard: E kam dashur këtu

Më: 20 maj 2023 Në ora: 11:59
Lampard e Haaland

Mançester Siti mund të shpallet kampion që sot në divan nëse Notingem Foresti mund Arsenalin dhe trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, u pyet në konferencën e djeshme në rast se skuadra e tij do të bëjë tunelin e nderit për të duartrokitur kampionët e rinj në fillim të ndeshjes me “qytetarët” të dielën.

“Do ta mendojmë. Mund ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Më kujtohet edhe vetë kur isha një futbollist dhe ishte një gjest shumë i respektueshëm, kështu që nuk kam problem aspak për ta bërë. Mançester Siti ka vendosur standardet.

Ata janë pranë statusit të skuadrës më të madhe në historinë e Premier Ligës”, tha tekniku i Çelsit, ndërsa skuadra e tij ka shënuar po aq gola sa vetëm Erling Haland këtë sezon në kampionat, 36:

“Është një statistikë fantastike e tij. Kur isha për herë të fundit në stolin e Çelsit unë e doja këtu. Niveli i tij ishte i qartë kur ne luajtëm kundër tij ndaj Salcburgut”.

Çelsi luajti kundër norvegjezit në një ndeshje të fazës përgatitore në vitin 2019, por sulmuesi nuk shënoi atë ditë, përpara se Borusia e Dortmundit të siguronte firmën e tij në janar. “Ne kemi shënuar 36 gola dhe kjo është një tjetër histori.

Por unë e desha me të vërtetë këtu, por nuk ndodhi. Niveli i tij ishte i qartë që në atë pikë. Ne kishim luajtur një ndeshje miqësore kundër Salcburgut dhe ai ishte fantastik.

Më pëlqen të shoh lojtarë të atij niveli, me atë personalitetin për të qenë më i miri dhe ai e ka provuar se është.

Mendoj se është special dhe isha i sigurt se do të përshtatej menjëherë për shkak të nivelit të tij. Nuk e di nëse ai do të pranonte të vinte këtu atëherë, por unë do të doja shumë që të ndodhte”, shtoi 44-vjeçari.

Dëmtimi i Badiashilit e ka dërguar në 8 numrin e lojtarëve të dëmtuar të Çelsit përpara vizitës në Mançester: “Jemi në të njëjtën situatë ku kemi qenë këto kohët e fundit. Maunt, Xhejms, Çiluell, Kante dhe Kukureja nuk janë gati. Kulibali është stërvitur këtë javë, por nuk është gati për një ndeshje të tillë. Badiashil u dëmtua vetë në stërvitje dy ditë më parë dhe po e vlerësojmë ndërsa flasim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat