Gjeraj para sfidës me Ulpianën: Përparësitë tona janë tifozeria e madhe

Futboll

Gjeraj para sfidës me Ulpianën: Përparësitë tona janë tifozeria e madhe

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 26 maj 2023 Në ora: 19:38
Robert Gjeraj

Përballja mes Lirisë së Prizrenit dhe Ulpianës së Lipjanit pritet me padurim nga dashamirët e futbollit në Kosovë.

Përballja mes këtyre do të zhvillohet nesër në kuadër të barazhit për të hyrë në elitën e futbollit tonë.

Skuadra që do të triumfojë do të përballet në sfidën finale me skuadrën që renditet në vend të tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Gjithçka është e gatshme për sfidën e nesërme (15.00) do të luhet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, tha se janë mirë të përgatitur dhe kërkon fitore për të vazhduar rrugën drejt elitës.

“Për nesër jemi të gatshëm. 

Është ndeshje e vështirë sepse është vetëm një ndeshje dhe nuk duhet të gabojmë. 

Përparësitë tona janë tifozeria e madhe që e kemi ‘Arpagjikt’ si dhe organizimi i mirë që kemi ku me pak fat kemi mundur direkt

mu fut në elitë, mirëpo qe fati e deshi me shkuar në barazh për të dytën herë”, thotë Gjeraj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A jeni komplet dhe a mendoni se kësaj radhe Liria do të realizojë qëllimin?

“Ne jemi komplet, nuk kemi asnjë mungesë. 

Besoj shumë që këtë herë të fitojmë këtë betejë dhe në fund të fitojmë edhe luftën në finale me ekipin e Superligës.

Qëllimin patjetër mendoj që duhet të realizojmë nesër dhe mos të gabojmë si herën e kaluar në penallti”, tha Gjeraj. 

Kapiteni beson e shpreson se ndeshja do të mbyllet në kohë të rregullt dhe të avancojnë më tutje. 

“Shpresoj që në kohë të rregullt të mbyllet dhe të arrijmë fitore e të shkojmë në finale, ku na pret një ndeshje e vështirë, si neve po ashtu edhe Ulpianën”, ka përfunduar Gjeraj.

Liria ka përfunduar në vend të dytë në Grupin A dhe Ulpiana në B të Ligës së Parë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat