FC Prishtina 01 kampion i Kosovës

Futboll

FC Prishtina 01 kampion i Kosovës

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 23:41
FC Prishtina 01

FC Prishtina është kampion i ri i Kosovës në futsall.

Skuadra kryeqytetase në ndeshjen e tretë dhe përcaktuese të serisë finale të ‘play-off’-it,  që u zhvillua në Pallatinë e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në një atmosferë madhështore, arriti të triumfojë me rezultat bindës 4:1, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve finale 2:1.

Pjesa e parë ishte tejet e baraspeshuar dhe i tillë ishte edhe rezultati. Halim Selmanaj i zhbllokoi shifrat e ndeshjes duke e kaluar FC Prishtinën 01 në epërsi.

Mirëpo, baraspeshën në rezultat e vendosi Camilo me një gol të shkëlqyeshëm.

Edhe në pjesën e dytë u zhvillua lojë tejet interesante, por prishtinasit arritën t’i shfrytëzojnë më mirë rastet e krijuara. Ari Kaqanolli e kishte mbrëmjen e tij, pasi realizoi dy gola, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Ramadan Alaj, në periudhën kur skuadra nga Drenasi ishte me të gjitha forcat në sulm. Kësisoj, FC Prishtina 01 pas Kupës së Kosovës u kurorëzua edhe me titullin e kampionit, duke e përmbyllur një sezon fantastik.

Në fund, presidenti Agim Ademi ia dorëzoi trofeun e kampionit kapitenit Ramadan Alaj, derisa medaljet për ekipin kampion i ndanë nënkryetari Bakir Burri, drejtori për sport në komunën e Prishtinës, Granit Rugova dhe kryetari i Komisionit të Futsallit, Hysni Gjinovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat