Thaqi: Jemi gati për të dhënë gjithçka për kualifikim

Futboll

Thaqi: Jemi gati për të dhënë gjithçka për kualifikim

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 15:13
Thaqi

Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi në një prononcim për Telegrafit ka treguar se ai dhe ekipi i tij ndihen gati për ndeshjen e dytë ndaj Ludogoretsit në kuadër të raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Ballkani luan sot (e mërkurë) në udhëtim te Ludogoretsi, në ndeshjen e paraparë të zhvillohet në stadiumin “Huvepharma Arena” të Razgradit, me fillim nga ora 20:00.

Kampioni i Kosovës ka fituar me rezultat 2-0 në “Fadil Vokrrit” ndaj Ludogoretsit takimin e parë ndaj Ludogoretsit, të zhvilluar javën e kaluar dhe është gati për të shkruar historinë.

Asnjë skuadër nga Kosova nuk ka luajtur në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe Ballkanin synon lavdinë ekipore dhe shtetërore.

I këtij mendimi është edhe ylli i therandasve, Armend Thaqi, i cili ka treguar se janë të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë gjithçka për të arritur në raundin e dytë, pasi një rast i tillë nuk vjen shpesh.

“Jemi plotësisht gati me dalë në fushë dhe të dhënë gjithçka për kualifikim tutje”, ka thënë fillimisht Thaqi për Telegrafin.

“E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë sepse skuadra kundërshtare ka shumë cilësi dhe janë të fortë, mirëpo e pamë në Prishtine që edhe ne mund të përballemi me ta”.

“Motivimi është në maksimum sepse jemi në një moment që nuk na vjen shpesh dhe dëshirojmë ta shfrytëzojmë që të kalojmë tutje në garën më të madhe evropiane”, përfundoi lojtari më i mirë i vitit 2022 në Kosovë.

Ndryshe, nëse Ballkani kalon tutje në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, aty do të përballet me fituesin e sfidës mes Olimpija Lubljanes dhe Valmieras.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat