FC Prishtina: Pranojmë të zhvendosemi në Hajvali veç shkaku i Kombëtares

Futboll

FC Prishtina: Pranojmë të zhvendosemi në Hajvali veç shkaku i Kombëtares

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 13:24
Pamje e stadiumit në Hajvali

Ditë më parë, FC Prishtinës iu kumtua vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për të mos luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” shkaku i dëmtimit të fushës dhe përgatitjes së saj sa më të mirë për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, e cila do të luajë në muajin shtator.

Prishtinasit nuk e pritën aspak mirë këtë vendim pasi nuk dinin se ku do t’i zhvillonin ndeshjes si vendës në fillim të sezonit të ri të Superligës.

Më pas, shtëpia e futbollit kosovar njoftoi se Bardhekaltrit do ta zhvillojnë ndeshjen e parë kampionale në kampin nacional në Hajvali, të cilin FFK-ja ia dha në shfrytëzim klubit më të madh në vend.

E sot, prishtinasit dolën me një njoftim se, jo një, por dy ndeshjet e para si vendës do t’i luajnë në Hajvali.

Ata thonë se e kanë pranuar këtë zhvendosje veç hatri i Kombëtares së Kosovës, e cila në muajin shtator do të luajë me Zvicrën në “Fadil Vokrri”.

“Dy ndeshjet e para të kampionatit, java e parë me Feronikelin dhe java e tretë me Malishevën, skuadra jonë do t’i zhvillojë në Hajvali, në kampin nacional. FC Prishtina ka pranuar këtë akt për të mirëkuptuar ndeshjet kualifikuese të Kosovës për muajin shtator.

Ndeshja e javës së parë me Feronikelin zhvillohet këtë të shtunë më 12 gusht nga ora 17”, njofton klubi kryeqytetas përmes faqes së vetë zyrtare në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat