Shkëndija me startin më të mirë në histori

Futboll

Shkëndija me startin më të mirë në histori

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 21:44
Shkëndija

Shkëndija e Tetovës asnjëherë nuk e ka nisur një sezon me 4 fitore në 4 ndeshjet e para në elitën e futbollit maqedonas. Me 12-të pikë maksimale dhe një ndeshje më pak, Shkëndija si lidere pret xhiron e 6-të. 

“Kemi 4 tituj kampion, 2 Kupa dhe 1 Superkupë në 44 vite ekzistencë, por kurrë nuk kemi pasur një start si ky në elitën e futbollit vendor. 

Shkëndija me 12-të pikë nga 4 takime dhe një ndeshje më pak të luajtur (është shtyrë dueli i xhiros së dytë shkaku i pjesëmarrjes në Kupat e Evropës të Struga Trim&Lum) është lidere e renditjes dhe nga vendi i parë pret përballjen me Shkupin të shtunën në Tetovë. 

Kuqezinjtë në katër ndeshje të luajtura kanë fituar si mysafirë Voska Sport (1:0), Tikveshin (2:1) dhe së fundmi Rabotniçkin (2:1), derisa në Tetovë mundëm Bregallnicën (2:0).

Po të kthehemi për të parë arkivin nga e kaluara, ky është starti më i mirë në historinë e klubit, nëse llogarisim paraqitjet në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Këtu hyjnë edhe sezonet kur kemi dalë kampion (2011, 2018, 2019 dhe 2021). 

Sezonin 2010/2011 kur fituam titullin e parë kampion e nisëm me barazim dhe humbje (Teteksi 0:0 dhe Bregallnica në Shtip 2:1), derisa mundëm xhiron e tretë Rabotniçkin 3:0 në Tetovë. Në xhiron e katërt barazuam 1:1 në transfertën me Metalurgun.

Në sezonin 2017/2018 kur fituam titullin kampion në mënyrën më bindëse me 91 pikë, 35 më shumë se Vardari i vendit të dytë, sezonin e kishim nisur me fitore 2:0 ndaj Vardarit në Tetovë, triumf 3:0 në fushë të Shkupit dhe 2:1 ndaj Akademia Pandev në Tetovë, para se në xhiron e katërt të barazonim 3:3 me Pobedën në Tetovë. 

Sezonin pasardhës (2018/2019) sërish fitonim titullin, derisa në start barazonim 2:2 me Vardari  në fushën tonë. Pasoi barazim 0:0 jashtë me Makedonija Gj.P., derisa xhiroja e tretë solli fitoren e parë sezonale (4:1 ndaj Bellasicës). Në xhiron e 4-t fitonim 2:1 në fushë të Shkupit. 

Kampanjën 2020/2021 dolën kampion para Shkupit, derisa fillonim me barazim 2:2 në Çair ndaj konkurentit direkt. Xhiron e dytë fitonim Strugën (2:0), pasoi triumf 1:0 në terren të Makedonija Gj.P., ndërsa xhiron e katërt barazonim 1:1 me Borecin në Tetovë”, shkruan në faqen e FC Shkëndijes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat