Zyrtari i Kosovës akuzon FSHF-në për Dakun e Mujën

Futboll

Zyrtari i Kosovës akuzon FSHF-në për Dakun e Mujën

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 16:04
Bajram Shala

Mirlind Daku dhe Arbnor Muja duket se janë kthyer në objekte debati në Kosovë, me dy sulmuesit që kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë.

Për këtë temë ka zgjedhur të flasë dhe zyrtari i Kosovës, Bajram Shala, i cili në një intervistë shprehet se Daku dhe Muja ishin pjesë e grupmoshave të Kosovës, por Shqipëria i mori duke ja punuar pas krahëve.

Gjithashtu, ai thotë për “Top News” se shumë lojtarë shqiptarë kanë shprehur dëshirën për të luajtur me Kosovën, por për respektin ndaj FSHF-së, Federata e Kosovës nuk ka pranuar.

“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar.

Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja i është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej bashkëpunimit të dy federatave.

Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata.

Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetë-ofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur.

Kjo nuk shkon në të mirë të asnjërit nga ekipet kombëtare, është dukuri që duhet të shikohet edhe njëherë dhe të kemi një lloj vendimi që futbollistët e njërit shtet të përfaqësojnë atë shtet dhe të tjerët shtetin tjetër. Kaq është kjo punë”, u shpreh Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat