Reali tani ka një problem

Futboll

Reali tani ka një problem

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 16:49
Ancelotti

Një nga karakteristikat e veçanta të Realit në këtë fillimsezoni kanë qenë përmbysjet e rezultateve.

Por në çdonjërin nga rastet “los blancos” kanë luajtur me zjarrin derisa në fund janë djegur.

Kështu ka ndodhur ndaj Atletikos së Madridit, ku golat e shpejtë të marrë në fillimin e takimit kanë qenë vendimtarë në humbjen e parë sezonale në La Liga, duke i dorëzuar kreun Barcelonës në të njëjtën kohë. Gabimin trashanik Reali e ka bërë në derbi, një territor i favorshëm për këtë lloj aksidenti, si për nxehtësinë e ambientit, ashtu edhe për cilësitë e rivalit. Atletiko e fitoi ndeshjen në një paraqitje shumë të mirë, nuk ka dyshim për këtë.

Por skuadra e Simeones ka marrë një dorë shumë të mirë nga vetë Reali. “Los blancos” nuk kanë mësuar nga gabimet e njëpasnjëshme në fillimin e takimeve në këto dalje të para në La Liga dhe e kanë paguar shtrenjtë.

Pas fitores me përmbysje kundër Sociedadit (2-1), trajneri i Realit, Karlo Ançeloti deklaronte: “Duhet të shmangim pakujdesitë në fillimin e ndeshjeve. Po pësojmë shpesh në fillim dhe kjo kërkon më shumë sforco dhe punë për të përmbysur”. Një shprehje që është mishëruar kundër Atletikos.

Reali i Karlos nuk ka vënë mend dhe në derbi ka parë të fundoset nga tre gola të shpejtë, dy që në 18 minuta dhe të tretin sa janë kthyer nga dhomat e zhveshjes. Leximi i problematikave të Realit në fillimin e ndeshjeve në këtë nisje të sezonit bëhet edhe më i qartë po të shohim shifrat e pësimit të golave. Pesë nga gjashtë golat e pësuar nga skuadra e Ançelotit kanë ardhur në 20 minutat e para të lojës: Arribas (Almeria), shënoi që në minutën e 3-të; Majoral (Getafe) shënoi në minutën e 11-të; Barrenetçea (Sociedad) shënoi pas 5 minutash; dhe të dielën Morata (4′) dhe Grizman (18′) iu shtuan listës së golave të pësuar shpejt.

Si për t’i vënë kapak të gjithave, goli i 3-1 i Alvaro Moratës gjithashtu përputhej në njëfarë mënyre me normën: ishte në minutën e parë të pjesës së dytë! Që para humbjes ndaj Atletikos, shifrat paralajmëronin se Reali, pavarësisht se kishte fituar në pesë ndeshjet e para në La Liga dhe kishte marrë vetëm tre gola, po shfaqte shenja shqetësuese në mbrojtje që u vërtetuan ndaj Atletikos, që shënoi 3 gola me 4 gjuajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat