Trajneri Sylvinho, takime me lojtarët kuqezi Ivan Balliu dhe Keidi Bare gjatë fundjavës në Spanjë

Futboll

Trajneri Sylvinho, takime me lojtarët kuqezi Ivan Balliu dhe Keidi Bare gjatë fundjavës në Spanjë

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 15:16
Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior

Trajneri i Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior ka zhvilluar takime pune këtë fundjavë me dy lojtarët e Kombëtares, Ivan Balliu dhe Keidi Bare.

Tekniku ka udhëtuar drejt Spanjës së bashku me ndihmësin e tij, Pablo Zabaleta, ku fillimisht janë ndalur në Madrid për të ndjekur ndeshjen Rayo Vallecano-Mallorca, që mbaroi me rezultatin 2-2 dhe ku mbrojtësi shqiptar Balliu luajti për 90 minuta.

Pas ndeshjes, Sylvinho dhe Zabaleta janë takuar me futbollistin shqiptar dhe kanë diskutuar për formën e tij dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në muajin tetor ndaj Republikës Çeke dhe Bullgarisë.

Më pas, dy teknikët janë ndaluar edhe në Barcelonë, ku janë takuar me mesfushorin Keidi Bare, i cili aktivizohet me ekipin katalanas të Espanyol dhe kanë diskutuar gjithashtu me të për impenjimet e ardhshme të Kombëtares në kualifikueset e Euro 2024.

Trajneri kuqezi ka zhvilluar një tur takimesh gjatë javëve të fundit me lojtarët e Kombëtares në kuadër të përgatitjeve për grumbullimin e radhës që do të nisë më 8 tetor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat