Klopp: Të përsëritet ndeshja!

Futboll

Klopp: Të përsëritet ndeshja!

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 17:01
Klopp

Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, dëshiron që ndeshja e Premier Ligës ndaj Totenhemit të përsëritet, pasi goli i Luis Diazit u anulua padrejtësisht nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), aty ku Darren Inglend dhe ndihmësi i tij Den Kuk, nuk ndërhynë pasi futbollisti kolumbian u cilësua në pozicion jashtëloje të shtunën e shkuar. Liverpuli vijoi të mundej 1-2 falë një autogoli të Zhoel Matipit në minutën e 6-të shtesë dhe Klopi ka marrë një qëndrim të qartë mbi këtë çështje.

 “Bërja publike e regjistrimit zanor të komunikimit të VAR-it nuk ndryshoi asgjë për mua, sepse unë isha aty dhe pashë që m’u anulua padrejtësisht një gol.

Prandaj nuk ka më rëndësi për mua, pasi aty u bë qartësisht një gabim. Dhe ky gabim duhet të marrë zgjidhje. Jo si trajner i Liverpulit, por si njëri i futbollit unë do të thoja, edhe pse mund të ketë njerëz që nuk duan që unë ta them, por, zgjidhje do të ishte përsëritja e ndeshjes.

Edhe pse unë e di që sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodhë. Sigurisht, argument kryesor ndaj një zgjidhjeje të tillë është që do të hapte portat për ankesa pafund në kësi rastesh”.

Duke mos e sqaruar nëse klubi do të paraqiste një kërkesë formale për përsëritjen e ndeshjes, trajneri gjerman i Liverpulit dha edhe mendimin për raste të ngjashme në të ardhmen

 “Unë jam mësuar me vendime të gabuara dhe të vështira, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. E di që nuk ishte një gabim i qëllimshëm, por gabime të tilla nuk duhet të ndodhin më të ardhmen.

Gjeni një zgjidhje për këtë. Mos i ngutni gjyqtarët për një vendim të shpejtë, më mirë tëç vonohemi dhe të marrim një vendim të drejtë sesa të marrim një vendim të gabuar shpejt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat