Partizani, në derbi me një drejtor si trajner

Futboll

Partizani, në derbi me një drejtor si trajner

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 11:20
Arbër Abilalia

Arbër Abilaliaj do të drejtojë Partizanin si trajner pikërisht në derbi dhe duke folur në konferencën për shtyp para kësaj sfide, ai ka zbuluar se si ndihet në këtë detyrë të re.

“Të them të drejtën ndihem shumë mirë, pak e besojnë këtë gjë.

Kam atë ndjesinë e një ndeshje të rëndësishme, por ndihem shumë i qetë, shumë pozitiv. Këtë na e jep dhe puna e përditshme që është bërë në klub gjatë gjithë javës.

Është e lehtë të motivosh një skuadër në prag të një ndeshja kaq të rëndësishme dhe të them të drejtën jam ndjerë mjaft komod, mjaft i qetë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën përsa i përket ndeshjes së radhës, besoj se çdo gjë është pozitive deri tani”.

Për drejtorin sportiv por dhe trajnerin e përkohshëm të Partizanit, të kuqtë janë gati për derbin.

“Gjatë gjithë ecurisë tonë, por dhe në kompeticionet europiane, deri tani që po flasim ekipi ka patur në vazhdimësi mungesa. Nuk e kemi përmenduar asnjëherë, nuk e kemi cituar asnjëherë për faktin se është një grup i kompletuar, është një grup prej 22-23 futbollistësh, të gjithë mund të luajnë që nga fillimi”.

Por, a ka një datë për një emër të ri përsa i përket stolit të të kuqve?

“Normalisht po marrim kohën tonë për të vlerësuar të gjitha alternativat, më të mirat të mundshme që mund të jenë për klubin tonë në këto moment, nuk është një gjë e lehtë.

Dëshira është shumë e madhe për shumë trajnerë që të punojnë në këtë klub. Por do mundohemi të bëjmë një zgjedhje që të jetë racionale, sa më afër mentalitetit që ne kërkojmë”.

Derbi Partizani-Tirana luhet të enjten në “Air Albania” duke nisur nga ora 19:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat