Milani rigjen Giroud në Champions

Futboll

Milani rigjen Giroud në Champions

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 11:50
Olivier Giroud

Olivier si hajmali e kuqezinjve, Giroud si “oksigjeni” për Milanin.

Trajneri Stefano Pioli e gjen sërish sulmuesin veteran francez për ndeshjen shumë delikate në Champions League kundër Borussia Dortmundit.

Një ndeshje ku kuqezinjtë nuk mund të dështojnë, nëse duan të vazhdojnë të kultivojnë ambiciet e kualifikimit në 1/8 finale. Nuk do të jetë e lehtë, por me sulmuesin francez në fushë, skuadra e Piolit sheh një rritje të mundësive për të dalë me rezultat pozitiv nga “San Siro”.

Në tri sezone me kuqezinjtë, Giroud ishte më shumë se kushdo forca shtytëse sulmuese e Milanit të Piolit, i aftë për të fituar një titull dhe arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në hapësirën e dy viteve.

Është një fakt i veçantë që bie menjëherë në sy kur shikon numrat e francezit: kur ai ka shënuar, Milani nuk ka humbur kurrë, përveç në dy raste. Vetëm ndaj Napolit dhe Sassuolos, të dyja ndeshjet në sezonin 2022-2023, kundërshtarët morën më të mirën kundër kuqezinjve, pavarësisht “vulës” së francezit në ndeshje.

Ndeshja kundër Fiorentinës, e luajtur pa Giroud dhe Leao, tregoi edhe një herë të gjitha kufizimet e zëvendësuesve që dispononte Pioli për repartin e sulmit. Jovic bëri një paraqitje të pamjaftueshme së fundi, kundër Fiorentinës, teksa është e pamundur, por edhe e padrejtë që të vendoset e gjithë përgjegjësia për sulmin kuqezi mbi supet e të riut Camarda.

Kështu, Milani e pret sërish me buzëqeshje Giroud, i pezulluar në Serie A me dy ndeshje, por gati për Borussia Dortmundin. Kuqezinjtë kanë grumbulluar 5 pikë në 4 ndeshjet në grupin e Champions League, dy më pak se gjermanët, që aktualisht janë në krye.

Skuadra e Piolit duhet të fitojë për të shmangur mundësinë që verdhezinjtë të bëhen të paarritshëm dhe PSG-ja të mundë ndoshta Newcastle-n, duke siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt. Në Ligën e Kampionëve, Milani ka pasur shumë vështirësi për të shënuar. Deri tani ka shënuar vetëm dy gola, të dy ndaj PSG-së, njëri prej Giroud.

“Ne duhet të fitojmë dhe ndoshta të shënojmë më shumë gola për të forcuar pozicionin tonë në grupin F. Olivier kthehet në formacion, na duhet versioni i tij më i mirë”, – tha Pioli në konferencën për shtyp, para ndeshjes,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat