UEFA fut në telashe Silvinjon

Futboll

UEFA fut në telashe Silvinjon

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 22:55
Silvinjo e Daliç

Shqipëria njeh tashmë se kush do të jetë kundërshtari i saj në EURO 2024 pasi është hedhur shorti i fazës në grupe të aktiviteti të verës së ardhshme. Dhe stafi kuqezi padyshim që do të nisë punën për të përgatitur sa më mirë tre ndeshjet që nuk do të jenë aspak të thjeshta përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.

Por ajo që do të jetë ndoshta më e vështirë, është përzgjedhja e listës përfundimtare të lojtarëve që do të marrin pjesë në aktivitet. Në këtë aspekt, UEFA nuk i ka dhënë një dorë trajnerit Silvinjo.

Pas shortit të djeshëm, është konfirmuar se skuadrat pjesëmarrëse në Euro 2024 do të kenë vetëm 23 lojtarë dhe jo deri në 26 lojtarë siç kishte ndodhur në edicionin e kaluar në Europian e Botëror për shkak të COVID.

Trajnerët do të kenë mundësinë deri më datë 8 qershor që të bëjnë përzgjedhjet e tyre dhe në atë datë duhet t’ia komunikojnë UEFA-s emrat e 23 lojtarëve të përzgjedhur. Vetëm në rast dëmtimi, deri 1 ditë para ndeshjes së parë të secilës skuadër, mund të bëhet zëvendësimi i lojtarëve në listë. Kurse për portierët, është i lejueshëm zëvendësimi i tyre gjatë të gjithë turneut për shkak dëmtimesh.

Për Silvinjon, i cili ka aktivizuar më shumë se 23 lojtarë në kualifikuese, do të jetë një detyrë shumë e vështirë kësisoj që të reduktojë numrin e futbollistëve pjesëmarrës në aktivitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat