Milani amerikan u kërkon ndihmë sheikëve

Futboll

Milani amerikan u kërkon ndihmë sheikëve

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 19:27
Xherri Kardinali

Xherri Kardinali kërkon ndihmë, ose më saktësisht, kërkon likuiditete që të fillojë të shlyeje pak nga pak borxhin që ka marrë për të blerë Milanin.

Numri 1 i kompanisë “RedBird Capitals”, i shoqëruar nga administratori i kuqezinjve Xhorxho Furlani, ka udhëtuar në Lindjen e Mesme për të gjetur partnerë në investime dhe sipas ”Il Sole 24 Ore”, është gati të bashkëpunojë edhe me fondin arab i cili dëshironte të blinte Milanin para tyre.

Gazeta bën të ditur për një takim të Kardinale me drejtuesit e fondit “Investkorp”, i cili ishte gati të blinte Milanin para se në skenë të shfaqej Kardinale. Grupi në fjalë, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, kishte parë edhe dosjen për blerjen e Interit, por nuk kishte bërë një ofertë zyrtare, ndërsa duket se po i kthehet përsëri klubit kuqezi për t’u bërë pjesë e aksionerëve.

Bëhet e ditur se palët janë takuar fillimisht në Nju Jork e më pas në Lindjen e Mesme dhe po diskutohet mundësia e një bashkëpunimi. Borxhi prej 600 milionë eurosh që “Elliot” i ka dhënë kompanisë “RedBird”, mund të shlyhet brenda dy viteve të ardhshme. Por Kardinale është i qartë se kjo barrë e rëndë financiare duhet likuiduar sa më shpejt pasi bllokon investimet infrastrukturore.

Ndaj diskutimet me sheikët janë për shitjen e një kuote aksionesh që t’u krijojë likuiditetet e nevojshme që të fillojnë të paguajnë pak nga pak shumën që i detyrohen pronarit të mëparshëm të Milanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat