Italia në sulm frontal kundër piraterisë televizive

Futboll

Italia në sulm frontal kundër piraterisë televizive

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 14:39
Foto ilustrim

Italia angazhohet me një fushatë të re, kundër piraterisë televizive, që ka të bëjë kryesisht me transmetimin e paligjshëm të kompeticioneve sportive nga platforma që nuk disponojnë të drejtat e tyre, diçka që i shkakton shtetit italian një dëm prej rreth 350 milionë eurosh në vit. Autoriteti Italian i Garancisë për Komunikimin, lajmëroi hapjen e nje platforme të re kundër piraterisë brenda 31 janarit.

Ligji i aprovuar në parlament ka objektivin që të ndërhyhet brenda 30 minutave për të ndërprerë transmetimin e paligjshëm të ndeshjeve apo të eventeve të tjera live që janë frut i abuzimit, një lajm ky që është përshëndetur nga Liga Italiane e Serie A, që ka luajtur një rol aktiv në miratimin por edhe krijimin e kushteve teknike të platformës.

Ligji parashikon që të jenë vetë operatorët që furnizojnë aksesin në televizion, qofshin këto platforma televizive apo kompani furnizuese të internetit për sa i përket adresave të paligjshme IPTV që duhet të bllokojnë adresat IP, brenda 30 minutave nga konstatimi i shkeljes.

Teknikisht ndërhyrjet do të bëhen automatikisht nga një lloj “roboti” që do të bllokojë aksesin e paligjshëm në transmetimin e ndeshjeve. Veç të tjerash hapa të mëdhenj janë ndërmarrë në legjislacion ku personat përgjegjës për platformat abuzive dënohen me 3 vjet burg, ndërkohë që edhe përfituesit e sinjalit pra teleshikuesit që bien pre e tyre marrin gjoba nga 5 mijë euro. E ndërsa Italia bën një hap përpara në angazhimin kundër piraterisë i njejti fenomen konstatohet edhe në Shqipëri, ku autoritetet përkatëse janë shumë pas në lidhje me goditjen e këtij fenomeni.

Digitalb/Supersport është një nga kompanitë më të dëmtuara në këtë drejtim, duke qenë se paguan shumë marramendëse për sigurimin e të drejtave televizive të kampionateve më prestigjiozë të futbollit, si Premier League, Serie A, La Liga, Bundesliga e të tjerë, kompeticione që shpesh transmetohen në mënyrë të paligjshme jo vetëm nëpërmjet internetit dhe IPTV fantazëm, por edhe në platforma televizive, me AMA-n, që është jo vetëm e vonuar por shpesh edhe e dyshimtë në veprimtarinë e saj, në lidhje me goditjen e piraterisë duke u mjaftuar edhe në rastet e konstatimit të shkeljeve me gjoba qesharake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat