Vllaznia nis testimet, dy lojtarë duhet të bindin Osmanin

Futboll

Vllaznia nis testimet, dy lojtarë duhet të bindin Osmanin

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 14:38
Vllaznia

Vllaznia i është rikthyer procesit stërvitor, duke vijuar me përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit. Por ajo që ka rënë në sy gjatë këtyre seancave ka qenë edhe prania e një futbollisti të ri.

Mëson se bëhet fjalë për Eroll Kastratin.

Një mesfushor kosovar, i cili ka ardhur në provë tek kuqeblutë dhe pas disa ditësh do të jetë stafi teknik ai, që do të vendosë nëse do të vazhdojë të qëndrojë më gjatë apo jo. Nga sa mësohet, kemi të bëjmë me një futbollist, i cili është 20 vjeç dhe karriera e tij ka qenë mes Spanjës dhe Zvicrës, vende këto ku ka lëvizur edhe familja e tij.

Vllaznia në këto momente ka nevojë për lojtarë të gatshëm dhe në formën e duhur për ta ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave, por nëse stafi teknik sheh gjëra pozitive te ky futbollist i ri, ekziston edhe mundësia për të firmosur. Megjithatë për momentin është herët të flasim për gjendjen dhe aftësitë e këtij lojtari, sepse janë vetëm dy seanca që ai po stërvitet me ekipin. Po ashtu një lojtar do të afrohet, ndërsa një tjetër lojtar që ka kohë që stërvitet me Vllazninë, pritet që të jetë edhe afrimi i parë i merkatos. Bëhet fjalë për Matias Llocin. Mesfushori 23- vjeçar ka qenë për një periudhë të gjatë te Vllaznia, ndërsa në këto seancat e fundit stërvitore nuk ka qenë i pranishëm.

LARGIMI – Ndonëse ende nuk është hapur zyrtarisht merkatoja, Vllaznia i ka paraprirë punës sa u takon daljeve, duke zyrtarizuar deri tani tre lojtarë me të cilët është arritur marrëveshja për ndërprerjen para kohë të bashkëpunimit. Bëhet fjalë për Konstatin Çeshmedjiev, Darko Dodev dhe Redon Dragoshi. Por mesa duket edhe një i katërt mund të konsiderohet i larguar, por thjesht pritet vetëm zyrtarizimi, sepse ai tashmë nuk është më pjesë e Vllaznisë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë Xhelil Asani. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut nuk është paraqitur prej tri ditësh në stërvitje dhe kjo lë të kuptosh se tashmë ai ka mbyllur çdo gjë me Vllazninë. 28-vjeçari në fakt ka qenë edhe i pafat, sepse një dëmtim e la jashtë fushës për një periudhe të gjatë.

Në këto rrethana, kur hapësirat e aktivizimit për të kanë qenë dhe janë shumë të pakta, vetë lojtari, por edhe klubi e kanë parë të arsyeshme që të mos e vazhdojnë më bashkëpunimin. Bashkë me të, kësisoj shkon në 4 numri i lojtarëve të larguar nga Vllaznia. A do të ketë edhe ndonjë tjetër largim? Kjo mbetet për t’u parë, por gjasat janë që merkatoja në dalje të mbyllet këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat