​“Dështim total”, analistët flasin për ecurinë e Kombëtares së Kosovës gjatë vitit 2023

Futboll

​“Dështim total”, analistët flasin për ecurinë e Kombëtares së Kosovës gjatë vitit 2023

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 12:56
“Dardanët”, ishin në grup me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorën

Mos-kualifikimi në Kampionatin Evropian Euro 2024, po cilësohet si një dështim i madh për Kombëtaren e Kosovës në futboll.

“Dardanët”, ishin në grup me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorën, por morën vetëm 11 pikë, duke mbetur në vendin e pestë në këtë grup.

Një ecuri të tillë, analisti Bylbyl Sokoli, e cilëson si një dështim të madh. Duke folur për Kp, Sokoli tha se organizimi jo i mirë dhe mungesa e disiplinës brenda kombëtares, ka sjellë këto pasoja në ndeshjet kualifikuese.

Sokoli: Kosova dështoi, nevojitet riorganizim në kombëtare

“Kur të merret për bazë grupi në të cilin ka marrë pjesë Kosova, ku ne për nga vlera financiare e ekipit kemi qenë në vendin e dytë pas Zvicrës, atëherë mund të thuhet që kemi dështuar sepse gjasat reale kanë qenë që të kualifikohemi. Po mendoj që realisht me një disiplinë, me një organizim më të mirë, Kosova është dashur të jetë në evropian dhe deri më tani nuk kemi pasur rast më ideal...Shpresoj që kjo të jetë një përvojë që në të ardhmen të kemi kujdes, nuk është hera e parë, është hera e tretë që ne kemi pasur gjasa reale të kualifikohemi dhe nuk ia kemi arritur. Po shpresoj që në një të ardhme jo të largët do të organizohemi më mirë dhe do të krijojmë një përbërje të fuqishme të cilën veç se e kemi, por duhet sistemuar, riorganizuar, duhet projekt i qartë se si të arrihet deri te suksesi, i cili dërgon në një eveniment evropian ose botëror.”, tha Sokoli.

Nga ana tjetër, gazetari dhe komentatori Arbër Loxha vlerëson se dështimi nuk erdhi vetëm për shkak të mos-organizimit të mirë, por faji është edhe te lojtarët të cilën nuk dhanë më të mirën e tyre në fushë.

Loxha: Faji nuk është vetëm te organizimi, por edhe te lojtarët

“Kuptohet që ishte dështim për faktin që pritshmëritë nuk u arritën dhe kjo e bën një projekt jo të suksesshëm, nëse mund ta riemërojmë ndoshta dështimin. Por, ka pasur edhe rrethana të cilat normalisht që kanë ndikuar në rrugën derisa nuk vinin ato rezultatet pozitive. Kuptohet që tani faji do të kalojë herë tek njëra palë e herë tek tjetra, por këtu nuk ka faj vetëm organizimi, janë në faj edhe lojtarët të cilët nuk janë paraqitur apo nuk kanë luajtur në nivelin e pritshëm. Mbi të gjitha, edhe organizimi, fillimisht i emërimit të trajnerit, pastaj ndryshimi i trajnerit, ardhja e një interimi (trajneri të brendshëm) dhe të gjitha këto kanë ndikuar që rezultatet të mos jenë të pritshme, ashtu siç i kishte vënë vet qëllim Federata e Futbollit të Kosovës.”, tha Loxha.

Loxha shton se është e nevojshme që të freskohet lista e gjerë e lojtarëve që do të ftohen nga trajneri i ri për grumbullimet e ardhshme.

Loxha: Duhet freskuar lista e grupit të gjerë të lojtarëve

“Padyshim që duhet një freski dhe një ndryshim i rosterit të gjerë. Unë do të isha fans i asaj që federata të ngutet në përzgjedhjen e një trajneri solid, të mirë i cili do të ketë pastaj kohë që ta përpunojë atë listën e gjerë të futbollistëve të kombëtares, të shoh rezultatet e secilit, të vlerësojë formën e secilit dhe në atë kohë pastaj të vendosë se kush është gati dhe kush i duhet ende kohë për të pritur që të jetë pjesë e 11-shes, apo listës së gjerë të cilët do të ftohen më shpesh nga trajneri i ri. Emërimi i një trajneri i cili ka ambicie për ta dëshmuar veten, do të ishte një objektiv apo qasje pozitive e Federatës së Futbollit të Kosovës në tregun e trajnerëve.”, theksoi Loxha.

Por, ndryshe nga të tjerët, analisti Alban Lumi vlerëson se ka pasur disa rrethana nga jashtë që kanë ndikuar direkt në dështimin e “Dardanëve”, për kualifikim në Euro 2024.

Lumi: Pati shumë rrethana nga jashtë që ndikuan në suksesin e Kosovës në futboll

“Kombëtarja e Kosovës është ballafaquar që nga grumbullimi i parë me probleme që kinse kishte presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, pastaj ajo ngjarja me tepihun e fushës “Fadil Vokrri”, pastaj patëm bojkotin e disa futbollistëve ndaj selektorit Gliha dhe të gjitha këto ndoshta kanë shkaktuar një problem që megjithatë Kosova ia arriti në fund ta rimerr veten...Po besoj të gjitha këto kanë ndikuar që Kosova të mos ia del të kualifikohet. Megjithatë, besoj që është një cikël pjekurie e Kosovës, e cila është ballafaquar me probleme të ndryshme dhe besoj që në të ardhmen këto probleme nuk do të vjen në pikëpyetje të përballet kombëtarja jonë”, tha Lumi.

Lumi gjithashtu shtoi nuk nevojitet revolucion i madh brenda skuadrës, por që nevojiten disa prurje të reja të cilat do ta rrisnin konkurrencën në kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat