​Rrëfimi i Durmishit: Dhamë gjithçka për futbollin e viteve të 90-ta

Futboll

​Rrëfimi i Durmishit: Dhamë gjithçka për futbollin e viteve të 90-ta

Më: 28 janar 2024 Në ora: 11:53
Arsim Durmishi

Futbolli i viteve të 90-ta në Kosovë kaloi nëpër një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Të rënduar nga kushtet e mjerueshme, por edhe nga presioni i okupatorit serb, futbollistët e kësaj kohë dhanë gjithçka, e madje rrezikuan edhe jetën e tyre për ta mbajtur gjallë sportin e futbollit në Kosovë.

Njëri nga futbollistët që i takoi kësaj gjenerate ishte edhe Arsim Durmishi, i cili rrëfen për Kp, peripecitë me të cilat ai dhe bashkëlojtarët e tij u desh të ballafaqoheshin në atë kohë.

Ai ka luajtur për skuadra si Besiana, KEK-u e Prishtina, por, siç tregon ai, pa ndonjë kontratë profesionale.

Durmishi: Kemi luajtur pa kontrata dhe në kushte të mjerueshme

“Nuk kemi pasur kontrata profesionale ne sepse kemi qenë në ara. Prishtina luante, ne mund ta gënjejmë edhe veten me këtë profesionale, kur nuk kemi pasur as veturë, as zhveshtore, por shpirtin e kemi pasur profesionalizëm, trupin, zemrën dhe mendjen e kemi pasur. Aq shumë kemi pasur vullnet sa që në të gjitha stërvitjet të gjithë lojtarët kemi qenë, nuk ka munguar askush, madje edhe më shumë vinin se sa që duhej.”, tha fillimisht Durmishi.

Durmishi tregon se kishte raste kur policia serbe sulmonte e keqtrajtonte referët dhe organizatorët e ndeshjeve, ndërsa fanellat dhe pajisjet e futbollistëve duhet të dërgoheshin fshehurazi në ndeshjet e futbollit.

Durmishi: Duhet t’i fshihnim rrobat nga policia serbe

“Unë mund të tregoj disa vështirësi që na e kanë ndërprerë, kanë hyrë policia, i kanë marr referët, i kanë rrahur, i kanë marrë organizatorët dhe të gjithë, por mund të tregoj edhe se si i kemi bartur rrobat. Rrobat kur kemi pasur ndeshje ne Gjakovë ose Prizren, ka qenë Ilmi Berisha për udhëheqësi ka qenë, ai i merrte rrobat, 5 ose 6 kufera me këpucë dhe krejt, i dërgonte në autobus dhe autobusi, sigurisht e kanë paguar diçka, 10 ose 15 marka, ai i ka dërguar në Prizren ose Gjakovë ku do që e kishim ndeshjen, mandej ne kemi shkuar me vetura private, kemi shkuar në ndeshje, i kemi marr rrobat nga autobusi, i kemi veshur. Sepse ka qenë shumë problem me t’i zënë teshat veshur sepse ata veçse e dini se ku do të zhvillohet ndeshja.”, ka thënë Durmishi.

Por, përtej këtyre sfidave, ish-mbrojtësi vazhdoi me përkushtimin e tij të madh në fushën e lojës, aq sa ishte afër transferimit jashtë Kosovës, por një lëndim i rëndë ia ndali karrierën në gjysmë.

Durmishi: Lëndimi i rënë ma ndaloi karrierën në gjysmë

“I kam pasur tri klube që kam pasur të bëjë marrëveshje. Ka qenë Bronby i Danimarkës, trajner e kanë pasur Laudrupin, e kam pasur Gaziantepin në Turqi edhe e kam pasur në Zelandë të Re ose Australi të zgjedh në këto tri klube. Por, fati i keq, jeta është ashtu, unë diku në minutat 50 ose 60 nuk e di saktë e kam thyer këmbën. E kam pasur një lëndim jo të rënë, por super të rëndë, komplet shputën poshtë e kam pasur të palëvizshme, komplet ligamentet i kam pasur të këputura edhe e kam pasur të thyer kockën mbrapa. Këmbën e kam pasur me 20 shtrafa. Mandej karriera, sikur kur e prek atë pullën e kuqe ndryshoi e gjitha.”, kujton periudhën e vështirë Durmishi.

E sot, pas gjithë këtyre viteve, Durmishi thotë se futbollistët e viteve të 90-ta, janë në kushte të vështira jetësore. Ai pret që nga Ligji i ri për Sport, kjo kategori të marrë trajtimin e merituar.

Durmishi: Ka ish-futbollistë që sot nuk janë në gjendje as ta paguajnë faturën e rrymës

“Për Ligjin e Sportit që e kanë bërë, shumë meritor është nëse bëhet, sepse nuk e dimë a votohet, a duhet të votohet apo jo, sepse me të vërtetë ka lojtar që janë shumë keq edhe me kushte dhe e meritojnë ta kenë ose një dëmshpërblim ose një pension ose një rrogë shtesë. Sepse me të vërtetë ka futbollistë që mos t’i përmendi me emra që janë shumë, shumë keq, që kanë mbetur prapa...Unë e di dhe njoh lojtarë që i kanë punët shumë keq, bashkëlojtarë që nuk dua t’ua përmend emrin se është shumë keq, por unë e di që i kanë punët shumë keq, sa që nuk mund ta paguajnë as rrymën.”, ka thënë në fund Durmishi.

Ndërkohë për futbollin e sotëm në Kosovë, Durmishi theksoi se janë bërë hapa të mirë në zhvillimin e tij, sidomos në aspektin kualitativ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat