Inter - Juventus, supersfida mbi 1 miliard euro

Futboll

Inter - Juventus, supersfida mbi 1 miliard euro

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 14:35
Foto ilustrirm

Inter - Juventus, supersfida mbi 1 miliard euro.

Kaq vlejnë dy organikat që kanë në dispozicion dy trajnerët Simone Inzagi dhe Maks Alegri, më të mirat për rëndësinë e lojtarëve, por edhe për lëvizjet në merkato dhe mundësinë e përmirësimit.

Dy rivalët më të mëdhenj, nuk dominojnë vetëm tabelën e klasifikimit, por edhe pagat e futbollistëve. Ajo e së dielës në “San Siro” do të jetë një sfidë e hapur për titullin kampion, por në filozofi të ndryshme.

INTERI- Vetëfinancimi i vendosur si kusht nga pronarët kinezë për Marotën dhe Auzilion menjëherë pas titullit të vitit 2021 i detyron të dy drejtuesit që të shfaqin gjithmonë e më shumë artin e parametrave zero.

Dhe meqë jemi këtu, Taremi dhe Zielinski janë bllokuar për merkaton e verës. Por mjafton të shohim lojtarët si Calha, Mkhitarjan dhe Turam për të kuptuar filozofinë zikaltër. Asnjë euro e shpenzuar për ta. Interi kërkon të qëndrojë kompetitiv, ndoshta edhe duke larguar ndonjë lojtar të rëndësishëm si Onana dhe Brozoviç.

Kroati dhe largimi i Lukakut po ashtu kanë liruar një hapësirë të madhe për rrogat, pa harruar edhe Xhekon, Shkrinjarin dhe Korrean. Shkurtime të shpenzimeve deri në 20 milionë euro, por që nuk kanë ndikuar në rendimentin e skuadrës. Madje, Interi i këtij viti ka 11 pikë më shumë sesa ai i kampionatit të kaluar.

Plani ka qenë për rinovimin e kontratave të Dimarkos, Mkhitarjanit dhe Lautaros (pritet shpejt zyrtarizimi). Në merkaton e janarit Interi u limitua thjesht me afrimin e Bjukenën, por që mund të sjellë shitjen e Dumfrisit në verë. Interi është skuadra me organikën më të shtrenjtë, por me fondin e pagave më të ulët sesa Juventus. Kjo ndodh sepse shumë lojtarë e kanë rritur vlerën e tyre në fushën e lojës.

JUVENTUSI- Qëndrueshmëria është fjala e rëndësishme në Juventusin e ri, që u riformatua në verë pas disa sezonesh të dështuara dhe me penalizime. “Zonja” vazhdon të ketë ende pagat më të larta të kampionatit, por kura “Xhuntoli” nis të japë frytet. Janë larguar disa lojtarë që ishin mbi 30 vjeç si Kuadrado, Di Maria dhe Bonuçi për të afruar disa të rinj. Alegri po lufton për titullin kampion me ekipin më të ri duke llogaritur vetëm ekipet e rëndësishme. 18-vjeçari Kenan Jildiz me 3 gola në Kupë dhe kampionat është dëshmia e fundit e filozofisë së Juventusit. Është një rrugë e ndjekur pak për zgjedhje dhe pak për domosdoshmëri.

Nga qershori dhe në janar, bardhezinjtë kanë afruar 3 lojtarë, Ueah nga Lila për 12 milionë euro. Nga i njëjti klub u transferua këtë muaj Djalo për 3.5 milionë euro dhe bonuset dhe në orët e fundit Alkaraz. Përveç afrimit të futbollistëve të rinj, Xhuntoli është duke blinduar edhe lojtarët e rëndësishëm si Lokateli, Gati, Faxholi dhe Bremer. Prioriteti është rinovimi i Kiezës dhe Vlahoviç.

Ky i fundit është lojtari me vlerën më të lartë në treg (70 milionë euro), por edhe më i paguari i organikës. Megjithatë, pritet që në rinovimin e tij të ketë një pagë më të lartë që do të shkojë deri në 12.5 milionë euro. Shumë, për Juventusin aktual, por menaxheri i tij ka kërkuar këtë rritje në mënyrë që të largojë edhe ofertat që mund të bëjnë skuadrat e tjera në merkaton e janarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat