Gasperini: Katër ndeshje të vështira në 11 ditë

Futboll

Gasperini: Katër ndeshje të vështira në 11 ditë

Më: 5 mars 2024 Në ora: 20:36
Gian Piero Gasperini

Trajneri i Atalanta-s, Gian Piero Gasperini e cilëson shumë të vështirë ndeshjen ndaj Sporting Club, që luhet këtë të mërkurë në kuadër të raundit të 1/8-ave të Europa League.

Në prononcimin e bërë për mediet në prag të këtij takimi, italiani deklaroi se skuadra portugeze është në një moment shumë të mirë, por theksoi gjithashtu se edhe ekipi i tij nuk mbetet pas.

“Është një ndeshje shumë e fortë. Sporting po bën gjëra shumë të mira në kampionat, por duhet theksuar se edhe ne kemi bërë një rrugëtim të gjatë këtë sezon. Sigurisht që jemi dy skuadra paksa të ndryshme, por edhe të balancuara“-tha fillimisht kreu i stolit të Atalanta-s.

Më pas sa u përket rezultateve të tre ndeshjeve të fundit në Serie A, Gasperini theksoi se kanë pasur një kalendar të ngjeshur ndërsa shton se nuk e kanë përgatitur thuajse fare lojën që do bëjnë ndaj Sporting-ut.

“Ne morëm një pikë të shkëlqyer kundër Milan-it, pastaj humbëm kundër Inter-it dhe Bologna-s dhe të themi të vërtetën na vjen pak keq për këtë të fundit.

Megjithatë, ndeshja nesër është në një kompeticion tjetër, problemi i vetëm për ne është se po luajmë ndeshje të nivelit të lartë në një periudhë shumë të ngushtë kohore.

Katër ndeshje të nivelit shumë të lartë në 11 ditë, kjo është një situatë në të cilën do të kishim preferuar të mos gjendeshim. Nesër luajmë një ndeshje pa e përgatitur pothuajse fare, kjo është e vetmja vështirësi e madhe për ne”-deklaroi ndër të tjerë Gian Piero Gasperini.

Sporting-Atalanta ndeshen këtë të mërkurë, duke nisur nga ora 18:45.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat