​Duka: Asllani po shkon hapave të yllit të Real Madridit

Futboll

​Duka: Asllani po shkon hapave të yllit të Real Madridit

Më: 7 mars 2024 Në ora: 12:42
Armand Duka

Dëmtimi që detyroi mesfushorin Hakan Çalhanoglu të mungonte në tre ndeshjet e fundit të Interit kishte shqetësuar jo pak tifozët zikaltër. Ndalesa e tij, megjithatë, kishte anën pozitive të medaljes. Kristjan Asllani, i thirrur për ta zëvendësuar, pati shansin të luante si titullar në disa ndeshje delikate (me Leçen, Atalantën dhe Xhenoan), duke dhuruar paraqitje tejet pozitive dhe duke gjetur madje golin të hënën e kaluar, i pari për të në Serie A me fanellën zikaltër.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për median italiane “SPORTITALIA” ku ka folur për yllin shqiptar të Interit.

“Fillimisht, dua të them se u gëzova shumë për golin e parë të Asllanit në Serie A me Interin. Ka punuar shumë për të arritur deri këtu dhe mendoj se e ka merituar plotësisht këtë moment të bukur që po kalon. Aq më tepër që rivalizon me lojtarë të kalibrit të Çalhanoglu në mesfushën e Interit apo yje të tjerë”, ka thënë fillimisht Duka.

Ai ka shtuar se fakti që Asllani po ia del që të dëshmohet në një skuadër të madhe si Interi dëshmon se ai ka kualitete të mëdha

“Unë e kam thënë edhe në të kaluarën dhe e përsëris: Kristjani është ende i ri, ai ka potencial të jashtëzakonshëm, aftësi të larta teknike dhe cilësitë e duhura për t’u bërë lojtar i madh. Fakti që tani po shkëlqen me Interin dëshmon qartë se është një talent i madh. Duke parë vazhdimisht rritjen e tij, isha i bindur se në momentin që parë që do t’i jepej mundësia për të treguar vlerat tek Interi, ai do ta shfrytëzonte në maksimum dhe kështu ndodhi. Tani shpresoj që ai të vazhdojë me këtë ritëm dhe të luajë sa më shumë, të vazhdojë rritjen dhe sigurisht të jetë në formë për finalet e Euro “Gjermani 2024”. Një këshillë kam për të: le ta shijojë këtë moment, por të qëndrojë i përulur, me këmbë në tokë dhe të punojë akoma më shumë për t’u përmirësuar në çdo aspekt."

Madje, i pari i FSHF-së e ka krahasuar Asllanin me yllin kroat Luka Modriç.

“Kristjan ka një uri dhe vendosmëri të madhe për të arritur majat. Transferimi në moshë të re ne një klub të madh si Interi kishte shumë risqe, por ai ia ka dalë të ruajë ekuilibrin e duhur. Padyshim, Asllani gëzon një formë të mirë dhe meriton më shumë minuta. Jo më kot unë e kam krahasuar atë me një yll të futbollit. E kam fjalën për Luka Modriç: kam bindjen që Asllani do të bëhet lojtar i madh. Objektivi i tij primar është të bëhet titullar tek Interi dhe mendoj se është në rrugën e duhur”, ka thënë Duka në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat