Tundohet Laporta

Futboll

Tundohet Laporta

Më: 10 mars 2024 Në ora: 11:10
Lamine Yamal

Largimi i Kylian Mbappe ka mërzitur disi drejtuesit e Paris Saint Germain, që gjithsesi nuk kanë ndërmend të humbin kohë dhe janë hedhur menjëherë në kërkim të zëvendësuesit të yllit francez.

I preferuari i Al Khelaifit, por edhe i trajnerit Luis Enrique, duket se është sulmuesi i talentuar i Barcelonës, Lamine Yamal.

Ky i fundit është vetëm 16 vjeç dhe në “Camp Nou” shihet si Lionel Messi i ardhshëm i katalanëve.

Këtë sezon Yamal numëron 37 ndeshje me Barcelonën dhe 6 gola të shënuar, të fundit mjaft spektakolar ndaj Mallorcës mbrëmjen e të premtes, teksa Paris Saint Germain është gati të bëjë një tjetër çmenduri për ta transferuar në “Parkun e Princave”.

Sipas medias franceze, Al Khelaifi ka treguar gatishmërinë të paguajë 200 milionë euro për kartonin e futbollistit të talentuar. Pikërisht për këtë arsye, agjenti i Yamal, Jorge Mendes ishte në Barcelonë këtë javë, ku ndër të tjera vuri në dijeni presidentin Laporta për interesimin ndaj sulmuesit 16-vjeçar.

Natyrisht katalanët nuk do të donin të hiqnin dorë nga një prej futbollistëve më premtues, që në korrik do të mbushë 17-vjeç dhe që po tregon që tani se mund të marrë për dore Barcelonën drejt objektivave të saj madhorë.

Megjithatë 200 milionë euro nuk janë pak dhe në situatën e vështirë ekonomike që po kalojnë katalanët, ato para mund të mjaftonin për të bërë disa përforcime gjatë merkatos së verës dhe për të kompletuar ekipin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat