Bushi: Ndeshje vendimtare, por ne jemi të fortë në tokën tonë

Futboll

Bushi: Ndeshje vendimtare, por ne jemi të fortë në tokën tonë

Më: 12 mars 2024 Në ora: 13:20
Bushi

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi doli këtë të martë në një konferencë për mediat, në kuadër të dy ndeshjeve kualifikuese të EURO 2025, ndaj Finlandës (22 mars, ora 17:00) dhe Zvicrës (28 mars, ora 17:00).

Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këto dy sfida të rëndësishme, që do të luhen në stadiumin “Air Albania”.

Alban Bushi u shpreh se ndeshja e parë ndaj Finlandës është sfida më e rëndësishme e këtij grupi sepse një fitore do të rriste premisat për t’u kualifikuar në finalet e kampionatit Europian.

Finlanda? – Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Mendoj që Finlanda është ekipi që luan më bukur futboll, pavarësisht se ndodhet pas nesh. Për mua luan më mirë se Zvicra dhe Rumania.

Kjo është ndeshja jonë e jetës, ndeshja jonë e ëndrrave, që ne të shkojmë në Europian. Duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje.

Ne e respektojmë shumë ekipin e Finlandës, është një ekip shumë i mirë. Por ne në tokën tonë jemi shumë të fortë. Toka jonë na jep energji pozitive.

Nuk diskutohet që do të japim maksimumin, do të sakrifikojmë shumë. Më vjen mirë që ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”, mendoj që do të ketë shumë tifozë, është organizuar shumë mirë edhe nga FSHF. Është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Nëse fitojmë këtë ndeshje, është një shans shumë i madh për të zënë vendin e dytë ose të parë në grup.

Ndeshja me Zvicrën – Jemi fokusuar më shumë te ndeshja e parë me Finlandën. Për Zvicrën do të flasim pas ndeshjes së parë. Është një ekip që të lë të luash futboll, mund të krijosh dhe të krijojnë raste.

Do të jetë një ndeshje e hapur. Por i gjithë fokusi ynë është te Finlanda sepse duhet të marrim rezultat të mirë me Finlandën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat