Kombëtarja U-19 e vajzave teston 24 futbolliste

Futboll

Kombëtarja U-19 e vajzave teston 24 futbolliste

Më: 23 mars 2024 Në ora: 11:02
Pamje nga një ndeshje

Ekipi Kombëtar U-19 i vajzave zhvilloi një seleksionim 1-ditor, ku të ftuara ishin 24 futbolliste të kësaj grupmoshe dhe jo vetëm, të cilat aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar.

Ky seleksionim u organizua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi, si edhe nën praninë e trajnerit të ekipit Kombëtar A, Armir Grima dhe zyrtarëve të tjerë të departamentit të ekipeve kombëtare dhe të futbollit të vajzave në FSHF.

Futbollistet e thirrura në këtë seleksionim i përkasin vitlindjeve 2005-2009. Një pjesë e tyre janë tashmë pjesë e skuadrës, ndërsa futbollistet e reja të thirrura për herë të parë, kanë qenë prej kohësh nën vëzhgimin e Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.

Qëllimi kryesor ishte për të evidentuar sa më shumë elemente të talentuara të kësaj grup-moshe që luajnë në kampionatin shqiptar dhe që mund t’i shërbejnë ekipit Kombëtar U-19, që nis nga java e ardhshme grumbullimin në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të Kampionatit Europian.

Përveç testeve fizike dhe taktike, në këtë seleksionim u zhvilluan edhe disa ndeshje kontrolli, ku secila vajzë pati mundësi aktivizohej dhe të tregonte vlerat në fushën e blertë. Në këtë mënyrë, edhe trajnerët e pranishëm në këtë seleksionim kishin mundësinë të shikonin nga afër gjendjen e futbollisteve dhe të krijonin ide të qarta mbi këto vajza, për të krijuar grupin e Kombëtares U-19.

Ky grup lojtaresh do të testohet dhe do të mbahet në monitorim në vazhdimësi qoftë nëpërmjet seleksionimeve qoftë edhe në ndeshjet miqësore që do të organizohen në muajt në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat