“Rekordmeni” Muller

Futboll

“Rekordmeni” Muller

Më: 6 prill 2024 Në ora: 12:56
Thomas Muller

Bayern Mynih dhe Thomas Muller janë kthyer në një trup të vetëm në identifikimin e vlerave, aty ku dashuria e tifozëve për sulmuesin 34- vjeçar është në të njëjtën nivel sikurse ndaj klubit. Ndonëse vitet kalojnë, prestigji dhe kontributi i Tomas Myler mbetet konstant.

Përtej peripecive me lëndimet dhe mungesë e minutazhit, ai ia ka dalë të aktivizohet në 34 raste me fanellën e klubit më të titullar në Gjermani, cikli 2023-2024. Por ndeshja me Haidenhaimin, e planifikuar të luhet ditën e sotme, do të shënojë moment historik në karrierën e tij, plot 700 prezenca në nivel klubesh, të ardhura me gjigantët nga Mynih.

Ai e nisi rrugëtimin si profesionist me Bajernin në 15 gusht të vitit 2008 kundër Hamburgut, e ku në krye të ekipit ishte Jyrgen Klinsman, specifikisht në moshën 18 vjeç, 11 muaj e 2 ditë.

Prej asaj dite e deri në ciklin aktual “plakushi” bavarez ka fituar gjithçka të mundshme në nivel klubesh, nga Bundesliga, Kupa e Superkupa e Gjermanisë, Champions, Superkupa e Europës, e deri te Botërori i Klubeve.

Nëse i referohemi golave të shënuar, Tomasi e ka dërguar sferën në kuadratin mik në 239 raste, ndërsa 265 janë asistet. Pavarësisht palmaresit të gjerë në trofe, ende mbetet një tjetër ikonë e Bajernit në majë të tabelës me numrin më të lartë paraqitjesh.

RIVALËT – Portieri legjendar i katërkëndëshit bavarez, Sep Majer, është “ajsbergu” i fundit që Myler do të synojë të arrijë në takimet e ardhshme, 707 prezenca. Kanë mbetur 7 javë të tjera deri në mbylljen e Bundesligës dhe nëse problemet fizike nuk e pengojnë, me shumë gjasa do e kurorëzojë këtë arritje brenda etapës ekzistuese.

Në vendin e 3 të këtij podiumi radhitet një tjetër emblemë e Bajern Mynih, fjala është për Oliver Kahn. Golashënuesi më i mirë i kampionëve, Gerd Myler, mban vetëm pozitën e 4-të. Në “top-20”-she nuk mungojnë emra të rëndë të futbollit gjerman nën “lëkurën” e Bajernit si Bekenbauer, Mateus, Rumenige, Lahm Riberi, Levandovski apo Alaba. Manuel Nojer dhe Joshua Kimish bëjnë pjesë në këtë klasifikim dhe vijojnë të ngjisin shkallë gradualisht, megjithëse të distancuar nga kryesuesit..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat