Derbi stacioni i fundit

Futboll

Derbi stacioni i fundit

Më: 25 prill 2024 Në ora: 13:52
Tirana

Ditën kur kishte fituar betejën ligjore për pezullimin e ankandit të aksioneve, presidenti i Tiranës pa bardheblutë të eliminoheshin nga Kupa e Shqipërisë. Për momentin vështirë të thuash se cila Tiranë shqetëson më shumë. Ajo e betejës juridike me një borxh që gjithsesi mbetet për t’u shlyer, apo ajo e fushës. Ku Tirana qartazi nuk bind.

Fitorja më e hidhur e sezonit (1-0) ndaj Kukësit nuk ka mjaftuar. Një farë rritjeje në lojë, sidomos në pjesën e parë. Fati i keq me shtyllat, fakti që humbja 2-0 e sfidës së parë ishte e vështirë për t’u përmbysur, të gjitha janë alibi që nuk mjaftojnë.

Tirana është eliminuar nga Kukësi, skuadër e fundit të tabelës në kampionat. Objektivi i vetëm i mbetur është vendi i katërt, seriozisht i kërcënuar. Vetëm pak ditë më pas është derbi, ai me Partizanin, sfida që kjo skuadër nuk ia ka dalë ta fitojë asnjë herë këtë sezon. Duke koleksionuar dy humbje dhe një barazim përballë rivalëve të përjetshëm.

E lehtë të lexosh hidhërimin në sytë e Erbim Fagut, trajnerit që e ka marrë Tiranën ndoshta në momentin më të vështirë të këtyre viteve të fundit. Ndryshim formacioni e skemash, 4 sulmues në fushë në pjesën e dytë… Të gjitha nuk kanë shërbyer, por ndoshta është ende herët për të përdorur shprehjen, “kësaj skuadre nuk ka kush i bën derman”.

Këtë, në fakt e kanë në dorë vetë lojtarët. Sigurisht nuk janë vetëm ata mbajtësit e faturës së një sezoni shumë larg pritshmërive, një faturë që mund të bëhet më me kthjelltësi e përgjegjësi në fund të sezonit. Por është e sigurt se nëse ka një moment ku mund të bëjnë një “mea kulpa” dhe të reagojnë, është pikërisht ky, derbi ndaj Partizanit. Për llogaritë dhe prestigjin, vlen gjithë sezonin.

Historia e viteve të fundit ka treguar se shpesh derbi përcakton dhe ecurinë e ndeshjeve që pasojnë. Vështirë të imagjinosh se si Tirana mund të sigurojë pjesëmarrjen në katërshe më pas ndaj Laçit, Vllaznisë e Egnatias pa një reagim ndaj Partizanit. E diela është stacioni i fundit për Tiranën dhe për futbollistët e saj. Dhe shansi i fundit për të treguar se e meritojnë fanellën bardheblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat