Gonzalez gjen portofolin pas 8 muajsh

Futboll

Gonzalez gjen portofolin pas 8 muajsh

Më: 25 prill 2024 Në ora: 16:16
Álvaro González

Álvaro González kishte humbur shpresën për ta gjetur portofolin e tij të humbur prej ca kohësh.

Futbollisti spanjoll ka disa vite që luan në Arabinë Saudite. Deri verën e kaluar ishte bashkëlojtar i Cristiano Ronaldos tek Al-Nassr, ndërsa tashmë luan për Al-Qadsiah. Tetë muaj më parë ai kuptoi se kishte humbur gjithçka: dokumente, karta krediti, leje drejtimi dhe sende të tjera personale, si dhe para.

Shumë telashe, duke pasur parasysh procedurën burokratike që e priste për të kryer operacionet e nevojshme për të siguruar llogaritë e tij, për të raportuar incidentin dhe për të bërë përsëri dokumentet rreptësisht personale. Ai bëri apel në rrjetet sociale si kërkesë ekstreme për ndihmë, por fatkeqësisht nuk mori asnjë lajm pozitiv.

Angazhimet në fushë, duke përfshirë seancat stërvitore dhe ndeshjet, iu shtuan punëve të përditshme, duke e ndihmuar pak nga pak ta harrojë atë fatkeqësi. Të paktën derisa pak ditë më parë, për shkak të një ndërthurjeje të çuditshme fati, mori një surprizë të mirëpritur. Në duar i mbërriti portofoli i humbur para 8 muajsh. Ai e njohu menjëherë, ishte pikërisht i tij: ngjyrë e zezë, model i thjeshtë.

A gjeti akoma diçka në të? Kjo është gjëja e parë që i shkon kujtdo në mendje… Në fakt, ai u mahnit nga çfarë gjeti brenda portofolit, saktësisht çfarë përmbante para se ta humbiste. Të njëjtat para, të njëjtat dokumente, të njëjtat karta, të njëjtat karta krediti dhe leje drejtimi, që i kishin dhënë aq shumë dhimbje.

“E pabesueshme!” Ai nuk mundi të thoshte asgjë tjetër. Dhe nga lumturia, Gonzalez vendos të regjistrojë një video për të treguar historinë e tij, me një fund të lumtur. I ulur brenda makinës së tij, futbollisti spanjoll filmoi veten duke treguar, i habitur, portofolin që mendonte se nuk do ta shihte më.

E merr në duar, e hap, tregon edhe inicialet e tij (A dhe G) të cilat janë të shtypura brenda dhe më pas i jep zë habisë së tij, duke treguar se ishte i paprekur. Asgjë nuk mungonte, gjithçka ishte në vendin e vet, nuk kishte asnjë gërvishtje.

“Unë dërgova një mesazh në rrjetet sociale, duke thënë se më kishte humbur portofolin në Arabinë Saudite, – sqaroi më tej futbollisti. – 8 muaj më vonë e rikuperova me gjithçka brenda. Paratë, kartat…, është për t’u habitur. Kjo gjë nuk ndodh me të gjithë”.

González, tani 34 vjeç, e filloi karrierën e tij në vitin 2009 kur u transferua nga ekipi i të rinjve të Racing te Rayo Cantabria. Real Zaragoza, Espanyol, Villarreal dhe Marseille ishin skuadrat që përfaqësoi deri në verën e vitit 2022, kur vendosi të ndryshojë jetën e tij dhe të transferohet në Arabinë Saudite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat