Fagu: Lojtarët e dinë rëndësinë e derbit, vetëm për tre pikët!

Futboll

Fagu: Lojtarët e dinë rëndësinë e derbit, vetëm për tre pikët!

Më: 27 prill 2024 Në ora: 14:00
Erbim Fagu

Tirana vjen në derbin me Partizanin e plagosur pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë.

Është derbi i parë në stolin bardheblu, teknikun që mori drejtimin e Tiranës pikërisht pas humbjes së fundit përballë të kuqve.

Një ndeshje jo e lehtë për trajnerin Erbim Fagu, që e ka të qartë me vetëm kampionatin të mbetur në lojë, përballja e kësaj të diele është thelbësore në shanset për të kapur “Final Four”.

“Padyshim që na ka ardhur keq për eliminimin nga Kupa pasi dhamë gjithçka për të shkuar në finale, fati nuk ishte me ne. Tani jemi të fokusuar te kampionati, sigurisht te derbi ku do të bëjmë të pamundurën për të marrë tre pikët dhe për të siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.

Do luajmë vetëm për tre pikët, do jetë maksimumi i të gjithë lojtarëve për të marrë rezultatin pozitiv. Nëse fitojmë, rriten edhe lojtarët në aspektin moral”.

Tirana e këtij sezoni është plot me emra që deri tani nuk i kanë justifikuar pritshmëritë, por për teknikun kjo është një nga ato sfida ku nuk ka nevojë për tu bërë apel.

“Ndeshje të tilla nuk kanë nevojë për apel, secili lojtar e di mirë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe rezultatit. Kam shumë besim që lojtarët që do zbresin në fushë do japin maksimumin në fushë për tre pikët”.

Tekniku zbulon se Najdovski ka patur probleme në seancën e fundit dhe gjendja e tij mbetet për tu vlerësuar, ndërkohë që ka në dispozicion gjithë pjesën tjetër të grupit. Ky derbi ngjason me një tren të fundit, jo për t’u luajtur por për tu fituar, për skuadrën dhe tifozët.

“Derbet luhen për t’u fituar, ne na duhen patjetër pikët. Por, edhe për tifozët, shpresoj t’ia dalim. Uroj shumë që tifozët të jenë të shumtë për të na mbështetur dhe t’i kthejmë buzëqeshjen, e më pas të festojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Fagu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat