Guardiola: Me këtë titull do të na respektojë bota

Futboll

Guardiola: Me këtë titull do të na respektojë bota

Më: 19 maj 2024 Në ora: 14:16
Pep Guardiola

Pep Guardiola thotë se skuadra e tij, Mançester Siti do të marrë respektin që meriton brenda lojës globalisht nëse fiton titullin e katërt radhazi në Premier Ligë të dielën. Siti shkon në takimin e javës së fundit me Uest Hemin në “Etihad Stadium” dy pikë më shumë se Arsenali i vendit të dytë, i cili pret Evertonin.

Asnjë klub anglez nuk ka fituar katër tituj radhazi të ligës, por ecuria e Sitit vjen mes hetimeve të tyre mbi 115 akuza nga Premier Liga për parregullsi financiare. “Unë mendoj se po. Në futbollin botëror, me siguri,” tha trajneri katalanas dje në konferencë kur u pyet nëse Siti do të fitonte respektin. Nëse Siti fiton të dielën, do të ishte titulli i gjashtë i Guardiolës në Premier Ligë dhe i teti për klubin, që prej të parit në 2012.

Në vitin 2022 ata shkuan në ditën e fundit në një pozicion të ngjashëm, një pikë më shumë se rivalët Liverpulit, dhe po humbisnin 2-0 kundër Aston Vilës përpara se ta përmbysnin. Ndërsa në vitin 2012, ata kishin nevojë për golin e fitores së Serxho Agueros në minutën e 94-të për t’i rrëmbyer titullin Mançester Junajtidit, pasi e kishin parë veten në disavantazh 2-1 me QPRnë. Guardiola tha se ai pret një ditë tjetër të tensionuar të dielën kundër një skuadre të Uest Hemit, e cila tashmë e ka të garantuar që do ta mbyllë sezonin në vendin e nëntë. “Kam përshtypjen se do të jetë një ndeshje si ajo me Aston Vilën”, tha Guardiola. “Do të donim të ishim në avantazh 3-0, por nuk do të ndodhë.

Jam përgatitur për të qenë një ndeshje e vështirë. Dua ta vendos këtë në mendjet e lojtarëve. Do të ndodhë e njëjta gjë.

Ne dhe njerëzit tanë duhet të jemi gati të mbështesim skuadrën që nga minuta e parë dhe ata të jenë me ne”.

Ai shpjegoi edhe çlirimin e lojtarëve pas fitores ndaj Totenhemit për të cilët tha: “I pash shumë të relaksuar pas fitores.

Ne nuk duhet të na interesojë rezultati i ndeshjes së Arsenalit me Evertonin, edhe pse mund të shpallemi kampionë në rast se ata nuk fitojnë. Fokusi është vetëm ndeshja jonë me Uest Hemin. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe të fitojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat