De Rossi: Ta rikthejmë Romën në katër klubet më të mira të Italisë

Futboll

De Rossi: Ta rikthejmë Romën në katër klubet më të mira të Italisë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 13:57
Daniele De Rossi

Me triumfin ndaj Genoas, Roma ka blinduar vendin e gjashtë në renditje, që i jep mundësinë e pjesëmarrjes në edicionin e ardhshëm të Europa Leagues, por edhe shpresën për të garuar në Champions, nëse Atalanta triumfon në finale ndaj Leverkusenit të mërkurën në mbrëmje.

E nëse verdhekuqtë janë sy e veshë nga Gllasgou, trajneri Daniele De Rossi ka nisur të mendojë për sezonin e ardhshëm, teksa fill pas ndeshjes me Genoan nuk ngurroi të falënderojë futbollistët e tij për atë që dhanë në gjysmën e dytë të sezonit.

“Kemi bërë një punë fantastike dhe dua të falënderoj të gjithë futbollistët për atë që kanë dhënë nga muaji janar e deri tani. Jam shumë i kënaqur, por sigurisht që nuk mjaftohem me kaq, pasi sezonin e ardhshëm duhet të rikthejmë Romën mes 4 ekipeve më të mira në Itali”, tha De Rossi.

Me merkaton që hapet zyrtarisht më 1 qershor, De Rossi zbulon se ka në mendje emra të shumtë që do të përforconin skuadrën, por edhe të tjerë që dëshiron t’i mbajë me çdo kusht në kryeqytetin italian.

“Të them të drejtën, gjatë kësaj kohe kam bërë edhe pak skautin, duke menduar organikën e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Kam shumë emra në mendje, por fillimisht duhet të flas me drejtuesit mbi projektin, mundësitë dhe strategjinë që do të duhet të ndjekim. Do të doja të vazhdoja përpara me pjesën më të madhe të futbollistëve aktualë, por edhe duke shtuar disa element që do të na bënin edhe më të fortë”, u shpreh tekniku kryeqytetas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat