Mustafa: Kosova identifikohet me sportistët e saj në garat ndërkombëtare

Futboll

Mustafa: Kosova identifikohet me sportistët e saj në garat ndërkombëtare

Më: 3 tetor 2016 Në ora: 14:29
Mustafa dhe sportistët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim tifozët e ekipit përfaqësues të Kosovës në Futboll “Dardanët”.

Duke i falënderuar për angazhimin e tyre në përkrahjen e ekipit shtetëror të Kosovës, kryeministri Mustafa theksoi se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme që të arrihen rezultate në garat ndërkombëtare.

“Për ne është me rëndësi themelore që tani e kemi një ekip i cili e përfaqëson Kosovën si shtet jashtë dhe po identifikohemi si shtet në të gjitha lojërat. Do të jenë raste shumë të mira që edhe adhuruesit e futbollit por edhe simpatizantët që s’arrijnë të jenë gjithmonë në fusha të sportit, të përkrahin futbollistët tanë”, tha kryeministri Mustafa, duke i falënderuar për përkushtimin dhe përkrahjen e futbollistëve.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se futbollistët e Kosovës do të kenë nevojë për kurajën, përkrahjen dhe zërin e publikut, duke bërë të ditur se edhe ai do të jetë prezent në ndeshjen e të enjtes kundër Kroacisë.

Përfaqësuesit e tifozëve të ekipit të Kosovës në Futboll “Dardanët”, e falënderuan kryeministrin Mustafa për mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për reprezentacionin e Kosovës, duke theksuar se ata e ndjejnë obligim që të përkrahin ekipin e shtetit të Kosovës dhe se në këtë aspekt do të japin maksimumin.

Ata, po ashtu, shprehën besimin se futbollistët e Kosovës do të shënojnë rezultate pozitive në përballjet e tyre të radhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat