Rooney kërkon përqendrim maksimal

Futboll

Rooney kërkon përqendrim maksimal

Më: 4 tetor 2016 Në ora: 17:22
Wayne Rooney

Kombëtarja e Anglisë kërkon dy fitore rresht në kualifikimet për Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2016’. “Tre Luanët” me 8 tetor në konak të tyre takohen me Maltën dhe pas tri ditëve (me 11 tetor) luajnë si mysafir i Sllovenisë, në ndeshjet e vlefshme të grupit F. Anglezët startuan me fitore në udhëtim me rezultat 1:0 ndaj Sllovakisë dhe mëtojnë ta vazhdojnë këtë seri të fitoreve. Kapiteni i anglezëve, Wayne Rooney, kërkon përqendrim maksimal në këto ndeshje dhe mos të lëshojnë pikë. Rooney është kritikuar për paraqitjen e tij me “Tre Luanët” pasi ish-trajneri Sam Allardyce pranoi se kapiteni luan aty ku do. Rooney hodhi poshtë ato fjalë, teksa është duke u përgatitur për ndeshjen kualifikuese të Botërorit kundër Maltës të shtunën. “Pyetjet nëse do të luaj sulmues, mesfushor... janë bërë të lodhshme. Nuk e zgjedh unë rolin tim, por trajneri,” ka thënë Rooney. Anglia zhvilloi seancën e parë stërvitore me trajnerin e ri Gareth Southgate ditën e martë, vetëm një javë pas shkarkimit të Sam Allardyce. Rooney është siguruar nga Southgate se do të mbetet kapiteni i Anglisë, dhe pritet të udhëheqë ekipin ditën e shtunë. Lojtari ndjen keqardhje për largimin e trajnerit Allardyce: “Është një mëkat. Të gjithë mund ta shihnin se sa i lumtur ishte me punën e re, ai erdhi dhe na përcolli entuziazmin e tij. Është një mëkat që gjërat shkuan ashtu. Jam i sigurt se ai është penduar, por ishte një vendim që duhej marrë nga Federata Angleze. Ne duhet të fokusohemi te futbolli, të tjerat nuk janë problemet tona,” ka thënë Rooney. Ai në fund tha se kanë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe kërkon për t’i fituar, çka do të bëjnë shumë të lumtur. Anglia është në grup me Sllovakinë, Maltën, Slloveninë dhe Skocinë. Një grup që konsiderohet mjaft i fortë, por anglezët janë favoritë për kreun  e renditjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat