Zbardhet e vërteta e tragjedisë së Chapecoenses

Futboll

Zbardhet e vërteta e tragjedisë së Chapecoenses

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 11:28
Aeroplani i rrëzuar

Shkaku kryesor i tragjedisë së rrëzimit të avionit që transportonte skuadrën braziliane të Chapecoense-s ka qenë mbarimi i karburantit. Është ky konkluzioni i arritur nga hetuesit kolumbianë në përfundim të hetimit paraprak. Pra rrëzimi i avionit ka ardhur si pasojë e një “gabimi njerëzor”. Nga rindërtimi i ngjarjes, avioni i kompanisë LaMia është ngritur nga aeroporti i Santa Kruzit në Bolivi me sasinë e karburantit në limit. Dhe nëse në fakt është e vërtetë që serbatori i kryesor ishte i mbushur plot, siç pretendohet nga drejtuesit e lartë të kompanisë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për serbatorin e karburantit rezervë, në momentin e ngritjes së avionit, raporton telesport.

Gjithçka ka qenë në shkelje të normativës ndërkombëtare, e cila detyron që avionët të kenë karburant për të përballuar edhe një orë e gjysmë më shumë se sa kërkon udhëtimi që duhet të përmbushin. Por sasia e pamjaftueshme e benzinës ka qenë vetëm një nga parregullsitë e konstatuara nga hetuesit. Plani i fluturimit të kompanisë gjithashtu përcaktonte se avioni nuk mund të fluturonte në një lartësi më të madhe se 29 mijë këmbë, kur në fakt shumë herë gjatë fluturimit e ka kaluar lartësinë 30 mijë këmbë. Si të mos mjafton kjo, avioni fluturonte me mbingarkesë. Ngarkesa maksimale e tij ishte 41.800 kg, ndërkohë kur është ngritur nga Santa Kruz avioni peshonte 42.148 kg. Gjithsesi kjo parregullsi, gjithmonë sipas hetuesve, nuk ka qenë përcaktuese në aksident. Sipas rezultateve të hetimit, nga informacionet e përfituara nga kutitë e zeza evidentohet se piloti dhe bashkëpiloti e dinin se po fluturonin pa karburant rezervë. Veç të tjerash, në hapësirën ajrore kolumbiane, avioni ka hasur në erë të fortë me drejtim të kundërt, e cila i ka detyruar të rrisin forcën e motorëve dhe për rrjedhojë të konsumojnë më shumë karburant.

Megjithatë aktivizimi i alarmit gjithsesi duhet t’i kishte detyruar pilotët të komunikonin emergjencën në momentin e duhur për të shmangur tragjedinë, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. “Në këto tipe avionësh- ka shpjeguar Freddy Bonilla, sekretari i sigurisë ajrore të Kolumbisë –  ekziston një sistem alarmi si zanor ashtu edhe viziv. Ky alarm aktivizohet 20 minuta përpara se të mbarojë karburanti. Por piloti nuk i ka komunikuar kurrë kontrollit ajror të Medellin-it se alarmi ishte aktivizuar”. Fakti është se komunikimi i emergjencës ka ardhur me shumë vonesë, rreth 6 minuta përpara rrëzimit. Madje alarmi nga kabina vetëm 3 minuta përpara momentit tragjik. “Defekt elektrik total, jemi pa karburant!”, janë fjalët e pilotit. Pa benzinë, motorët kanë ndalur të punojnë dhe nuk kanë funksionuar as bateritë e emergjencës të cilat i japin mundësi instrumentave bazë të funksionojnë edhe në situata kritike. Për të mbërritur në konkluzionet e para, hetuesit kolumbianë kanë bashkëpunuar me ekspertë bolivianë, brazilianë dhe britanikë. Ndërsa kutitë e zeza janë transkriptuar në Londër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat