‘La Repubblica’ reportazh për stadiumin e ri në Tiranë

Futboll

‘La Repubblica’ reportazh për stadiumin e ri në Tiranë

Më: 12 janar 2017 Në ora: 17:58
Evi Reçi

 Stadiumi që po ndërtohet në rrënojat e ”Qemal Stafës” në kryeqytet ka bërë sensacion dhe në mediat italiane.

”La Repubblica” përmes reporteres së saj në Tiranë Evi Reçit, ka treguar me detaje ecurinë e punimeve duke  sqaruar sesi është çmontuar fasada e stadiumit, i cili do vendoset në brendësi të ”Arenës Kombëtare”.

Në prestigjozen italiane bëhet e qartë se ky është një projekt që flet sipas stilit fiorentin, ndërsa studioja që po punon planin e arkitekturës së stadiumit është ”Archea Associati”, me arkitekt Marco Casamonti.

”Qemal Stafa” tashmë i shpërbërë ishte projektuar në 1939 nga një tjetër arkitekt fiorentin Gherardo Bosio i thirrur në Shqipëri nga Musolini.

Evi Reçi gjatë raportimit të saj është shprehur: ”Jemi në Tiranë dhe po vëzhgojmë punimet në stadiumin e ri që po ndërtohet në kryeqytetin e Shqipërisë, pikërisht ish-”Qemal Stafa” që do të quhet tashmë ”Arena Ndërkombëtare”.

Po shohim se punimet po ecin me ritme të shpejta. Fasada e vjetër është çmontuar pikërisht ajo që do montohet në brendësi të stadiumit. Ky stadium nuk do të jetë thjesht një impiant sportiv ku mund të shihen ndeshjet e futbollit por dhe një qendër multifunksionale, ku do të gjejmë palestra, zyra, hotel, restorant e të tjera shërbime për vizitorët. Ne jemi këtu për të ndjekur punimet dhe si po procedohet.

Shpresojmë që gjithçka të ecë sipas programit. Kujtojmë se në ditët e fundit është gjetur dhe një tunel në hapësirën e stadiumit. Një tunel i cili sipas hipotezave mund të jetë ndërtuar në kohën e komunizmit ose në periudhën e pushtimit italian”, mbyll reportazhin Evi Reçi, një personazh që në Shqipëri njihet si këngëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat