Klubi italian drejt falimentit, rrogat ia paguan Kombëtarja shqiptare

Futboll

Klubi italian drejt falimentit, rrogat ia paguan Kombëtarja shqiptare

Më: 5 shkurt 2017 Në ora: 11:00
ilustrim

Rënia në Lega Pro në këtë sezon nuk ka qenë shqetësimi kryesor për klubin e Komos. Klubi në fjalë, i cili në të kaluarën ka qenë i pranishëm edhe në Serinë A, rrezikon seriozisht falimentimin dhe për momentin nuk gjen blerës, edhe pse është nxjerrë në ankand për shifrën 302 mijë euro.

Situata është e tillë sa që ka vështirësi reale për të paguar lojtarë dhe është dashur që të lihen të lirë disa prej tyre gjatë merkatos së janarit, për të mos i paguar rrogat. Ndërsa futbollistëve të mbetur në radhët e klubit, rrogat e fundit i kanë marrë falë Migjen Bashës dhe Kombëtares shqiptare të futbollit.

Mesfushori ishte pjesë e Komos vetëm 6 muaj në sezonin e kaluar në Serinë B, i huazuar nga Lucerna. Por falë kësaj eksperience të shkurtër dhe vetëm 13 ndeshjesh të luajtura, ky klub ka përfituar një shumë të konsiderueshme nga UEFA falë pranisë së Bashës në fazën finale të Euro 2016 me fanellën e Shqipërisë.

Klubi bëri të ditur se në arkat e tij kishin mbërritur 115600 euro, me të cilat do të paguheshin lojtarët aktualë që po e mbajnë për momentin skuadrën në zonën e play-off të Grupit A në Lega Pro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat