“Meteorët” e merkatos në Superiore

Futboll

“Meteorët” e merkatos në Superiore

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 22:44
Cornel Predesku

U afruan si blerje të bujshme në merkaton e Janarit, por me gjysmën e fazës së tretë të kampionatit që ka përfunduar, shumë pikëpyetje janë ngritur rreth prezencës së tyre. Futbollistë të afruar në Kategorinë Superiore për të rritur cilësinë e skuadrave, por që në të vërtetë nuk luajnë, ose aktivizohen pak sa për të mos qenë protagonistë në fushë.

Duke nisur nga Kufre Ebong i kryesuesve të Kukësit. Sulmuesi nigerian ishte një prej goditjeve të pakta të veri-lindorëve, por deri më tani 21-vjeçari nuk ka luajtur në kampionat. Debutimi erdhi në sfidën me Tiranën në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë: 66 minuta në fushë në barazimin 0-0, me Ebong që nuk tregoi asgjë nga pritshmëritë për një lojtar të Kombëtares Olimpike të Nigerisë.

Te Skënderbeu të gjithë prisnin fantazistin Cornel Predesku-n. Rumuni i afruar si organizatori që i mungonte skuadrës dhe një pasardhës potencial i ish-kapitenit Bledi Shkëmbi ka qëndruar më tepër në stol sesa në fushë. I aktivizuar në tre ndeshje, në të gjitha rastet si zëvendësues.

Te korçarët të gjithë prisnin edhe talentin Reza Karimi, që ende nuk ka debutuar në Kategorinë Superiore. 18-vjeeçari nga Irani, i federuar në merkaton e Janarit po vuan me konkurrencën në fazën sulmuese. I ndryshëm diskutimi rreth blerjes së bujshme, Marvin Ogunxhimi, me sulmuesin belg që u afrua jashtë formës fizike dhe po punon me program të specifik.

Te Partizani pikëpyetje ka rreth Matheë Boniface. Sulmuesi nigerian është aktivizuar vetëm në tre ndeshje si zëvendësues, për një total prej 67 minutash lojë. Ndërkohë të kuqtë presin rikuperimin e plot të Xhevahir Sukaj-t, që derbin e ndoqi nga tribuna, por cilësohet si vlera e shtuar në ambiciet e të kuqve drejt titullit.

Te Teuta mister mbetet Eko Barnie, sulmuesi i huazuar nga Skënderbeu, që përveç problemeve me vonesën e kartonit ndërkombëtar të transferimit, ende nuk ka debutuar në Durrës.

Edhe në Vlorë duhet të bëjnë llogaritë me dy brazilianë. Duke nisur nga mbrojtësi Mauricio Leal, i aktivizuar si zëvendësues në minutat shtesë të humbjes dramatike 3-2 me Vllazninë. E ngjashme edhe aventura e mesfushorit Lynneeker Nakamuta me brazilianin që u aktivizua për herë të parë si zëvendësues në kampionat, në ndeshjen e humbur në shtëpi me Teutën.

Të gjithë janë meteorë, që u prezantuan plot shkëlqim dhe bujë në merkato, por që ende nuk e kanë përligjur investimin e klubeve shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat