Shënojnë bomberat, titulli kalon nga këmbët e tyre

Futboll

Shënojnë bomberat, titulli kalon nga këmbët e tyre

Më: 17 prill 2017 Në ora: 15:20
Paro

Ata janë 3 sulmuesit më të mirë të këtij kampionati, por edhe 3 nga bomberat më të spikatur që kanë luajtur ndonjëherë në Kategorinë Superiore. Në këmbët e tyre është fati i titullit kampion, ndërsa luftojnë me njëri-tjetrin edhe në garën për Këpucën e Artë, edhe pse aktualisht një kroat është favorizuar krahasuar dy të tjerët. Me 18 golat e tij Pero Pejic po udhëheq Kukësit drejt titullit të parë në histori, por në këtë aspekt nuk mbetet pas as Caleb Ekuban. Ganezi i talentuar ka realizuar 13 gola për Partizanin me të Kuqtë që ndajnë kreun e kampionatit me verilindorët dhe po të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me Kukësin e Skënderbeun për të fituar një titull kampion që Partizani i mungon prej më shumë se 2 dedakesh. Është disi poshtë pritshmërive Hamdi Salihi i cili ka shënuar vetëm 11 gola në këtë kampionat por gjithsesi finalizimet e tij kanë qenë të vlefshme për të mbajtur Skënderbeun në vallen e titullit. Të tre sëbashku kanë realizuar 42 gola në Superiore por si për ironi të fatit duhej të vinte java e 29-të e kampionatit, që Pejic, Ekuban dhe Salihi të gjenin të tre rrugën e rrjetës në të njëjtin raund.

Mund të thuhet me plot gojën se kjo ishte java e sulmueseve, java atyre që me finalizimet e tyre e kanë bërë më të bukur këtë sezon. Pejic i cili kryeson listën e golashënuesve dhe është kandidati kryesor për të fituar Këpucën e Artë, ishte heroi i Kukësit në suksesin 0-2 ndaj Teutës në Durrës, pasi realizoi një 2 golësh. Ekuban shpëtoi Partizanin nga humbja në Shkodër teksa me një goditje të bukur nga distanca realizoi golin e barazimit në Loro Borici ndaj Vllaznisë. Nuk kishte të njëjtën peshë sa  golat e dy të parëve por ishte gjithsesi i rëndësishëm finalizimi i Salihit në sfidën ndaj Korabit pasi bomberi shkodran realizoi golin e dytë të ndeshjes duke vulosur fitoren e Skënderbeut. Deri në përfundim të sezonit do të luhen edhe 7 javë. Me garën për titull që është ashpërsuar më shumë se kurrë, verilindorët, Të Kuqtë dhe korcarët kanë nevojë për të tjerë gola nga Pejic, Ekuban e Salihi për të festuar në fund fitoren e titullit kampion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat